Banka Botërore rrit projeksionet për çmimin e qymyrit dhe metaleve
Banka Botërore ka publikuar së fundmi projeksionet e përditësuara të ecurisë së çmimeve të lëndëve të para përgjatë këtij viti.
Ajo që bie fillimisht në sy është optimizmi, sidomos sa i përket lëndëve të para industriale, kryesisht energjisë dhe metaleve, jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitin e ardhshëm.
Sa i përket çmimeve të naftës, projeksionet mbeten të pandryshuara, në një mesatare prej 55 dollarësh për këtë vit, dhe 60 dollarësh për fuçi vitin e ardhshëm.
“Rritja e çmimeve të naftës do të marrë shtysë nga shkurtimet e prodhimit të OPEC dhe prodhuesve të tjerë jashtë organizatës”, nënvizon Banka Botërore, duke shtuar se, këto projeksione rrezikohen nga rritja e prodhimit të naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çmimet e energjisë, që përfshijnë edhe gazin natyror si dhe qymyrin projektohet të rriten me 26% përgjatë këtij viti, dhe 8% vitin e ardhshëm. Gazi do të rritet me 15% këtë vit, dhe qymyri me 6%, projekton banka botërore.
Edhe çmimet e lëndëve të para jo në energji, që përfshijnë produktet agro-bujqësore, fertilizuesit, metalet dhe mineralet pritet të rriten gjatë këtij viti, për të parën herë në 5 vite.
Çmimet e metaleve projektohet të rriten me 16% për shkak të kërkesës së fortë, kryesisht nga Kina.
Çmimet e pijeve ndërkohë, që përfshijnë kafen apo edhe çajin pritet të bien me 6% gjatë këtij viti për shkak të mbingarkesës në treg.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.