Banka e Anglisë mbi lehtësimin sasior: “Politikat monetare pas krizës kanë reduktuar pabarazinë në pasuri”
Banka e Anglisë ka bërë të ditur se pabarazia e pasurisë është reduktuar nga programi i lehtësimit sasior të prezantuar pas krizës financiare, duke larguar dyshimet se këto politika monetare kanë përqendruar pasurinë në më pak persona.
Në një studim, hulumtuesit e bankës pohuan se koeficienti Gini i Mbretërisë së Bashkuar, një masë e përdorur gjerësisht për pabarazinë në pasuri, ka rënë ndjeshëm në krahasim me skenarin ku Banka Qendrore nuk ndryshon politikat monetare pas krizës.
Në vitin 2008, ndërkohë që kriza solli recesionin global, banka nisi të injektojë para në mënyrë direkte në ekonomi, duke blerë 435 miliardë paund obligacione qeveritare deri në Gusht të 2016-ës. Në studim nuk u morr parasysh blerja shtesë prej 70 miliardë paund që erdhi pas Brexit.
Kritikët e kësaj politike kanë thënë se paraja e injektuar nga banka ka përfunduar në duart e të pasurve. Theresa May e kritikoi Bankën e Anglisë në vitin 2016.
“Njerëzit që zotërojnë asete janë bërë më të pasur. Ata që nuk kanë, janë varfëruar. Njerëzit me kredi hipotekare janë përballur me borxh më të lirë, ndërsa ata me kursime, janë bërë më të varfër”, tha Theresa May.
Por hulumtuesit e bankës thanë se efekti në tregun e shtëpive, që solli rritjen e çmimeve, bëri që personat me të ardhura të mesme e të ulëta të kenë një rritje më të madhe proporcionale në pasurinë neto se sa familjet e pasura.
Banka Qendrore përdori vlerësime nga sondazhet mbi pasurinë dhe aktivet që publikohen nga zyra e Statistikave në Londër. Çdo grupmoshë dhe klasifikim sipas të ardhurave, ka përfituar nga politikat, krahasuar me mos prezantimin e këtyre pas krizës financiare.
Punonjësit e rinj kanë fituar më shumë për shkak se normat e ulëta të interesit kanë mbështetur rritjen ekonomike dhe punësimin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.