Banka e Greqisë ul projeksionet – Ekonomia do të ngadalësohet prej vonesave në rishikimin e programit

Banka Qendrore e Greqisë uli projeksionet për rritjen ekonomike këtë vit dhe paralajmëroi se mungesa e qartësisë nga huadhënësit mbi borxhin e vendit do të sjellë rreziqe që mund të kërkojnë financim të mëtejshëm në të ardhmen.
Duke prezantuar raportin vjetor mbi politikat monetare, Banka e Greqisë nënvizoi se kreditorët e vendit duhet të specifikojnë angazhimet në masat lehtësuese të borxhit për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit në terma afat-gjatë.
Niveli i borxhit publik të Greqisë qëndron aktualisht në 180% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto. Vendi ka marrë 3 paketa të shpëtimit që prej vitit 2010 dhe e fundit përfundon në mes të 2018-ës. Rishikimi i programit të shpëtimit të Greqisë përfundoi së fundmi pas 6 muaj të bisedimeve. Huadhënësit disbursuan 8.5 miliardë euro për Greqinë, shumë që i duhet për të paguar obligacionet që maturojnë në Korrik.
Huadhënësit dhanë gjithashtu detaje mbi masat për lehtësimin e borxhit që do të ndërmerren në 2018-ën. Megjithatë, vonesat në përfundimin e rishikimit të programit kanë bërë që projeksionet për rritjen ekonomike të tërhiqen në 1.6% këtë vit, poshtë parashikimeve të mëparshme prej 2.5%, sipas Bankës Qendrore të vendit.
Qeveria kishte ulur projeksionet për rritjen në 1.8% nga 2.7%, ndërsa Komisioni Europian pret një rritje të ekonomisë greke me 2.1%. “Dinamikat më të dobëta të rritjes ekonomike do të vijnë prej vonesës së përfundimit të rishikimit dhe prej rritjes së pasigurisë, që kanë sjellë një rënie të ndjeshme në investime”, deklaroi Banka Qendrore.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.