Banka e Kinës shton mbikëqyrjen në borxhin korporativ dhe aktivet bankare
Banka Qendrore e Ekonomisë së dytë më të madhe në botë deklaroi se do të shtojë mbikëqyrjen në disa fusha përfshirë borxhin korporativ dhe aktivet bankare.
Politikëbërësit atje po shqetësohen mbi rritjen e shpejtë të levës financiare, që mund të sjellë një flluskë në çmimet e aktiveve. Banka Qendrore e Kinës bëri të ditur gjithashtu se do të mbajë valutën të qëndrueshme ndërsa ndjek një politik monetare neutrale.
“Do të rrisim monitorimin e rrezikut nga borxhi korporativ, cilësisë së aktiveve bankare, luhatjet e pazakonta në tregjet e aksioneve, flluskën në tregun e shtëpive si dhe në flukset dalëse të kapitalit”, thekson banka qendrore në raportin tremujor të zbatimit të politikave monetare.
Kina është mbështetur në rritjen e shpejtë të kreditit për të nxitur ekonominë gjatë viteve të fundit. Tashmë, politikëbërësit po vlerësojnë kërcënimet nga rreziqet që janë formuar.
Çmimet e shtëpive janë rritur ndjeshëm në shumë qytete kinezë në vitin e kaluar. Banka Qendrore bëri të ditur se vendi duhet të kufizojë huadhënien për spekulimet në tregun e shtëpive dhe duhet të ndërtojë një mekanizëm afat-gjatë për zhvillimin e mirë të këtij tregu.
Juani kinez ra me 6.5% kundër dollarit në vitin e kaluar dhe pritet të zhvlerësohet më tej këtë vit, ndërkohë që politikëbërësit reagojnë me kufizime shtesë në flukset dalëse të kapitalit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.