Banka e Pireut ikën nga Rumania – Mbyllet shitja, radhën e ka Shqipëria, Bullgaria dhe Serbia

Grupi i Pireut ka pranuar të shesë degën në Rumani. Operacioni do të përmbyllet brenda gjysmës së parë të vitit që vjen.
Vendimi ka marrë aprovimin përfundimtar të këshillit administrativ të bankës greke, si dhe fondit financiar helen të stabilitetit, si dhe është në fazë shqyrtimi nga autoritetet rumune. Ky vendim vjen në kuadër të planit të bankës për ristrukturim.
Kjo është një tendencë jo vetëm e Bankës së Pireut, por thuajse e të gjitha bankave greke, që kanë degë në rajon, përfshirë Shqipërinë. Bankat greke kanë deklaruar tashmë se do të shesin degët e tyre në Ballkan dhe në Shqipëri, si pjesë e planit që do t’i lejojë të fokusohen më shumë në tregun helen. Grupi i Pireut është prezent në vendin tonë me Tirana Bank.
Blerësit e bankës së Pireut në Rumani, në masën 100% janë grupi J.Christopher Flowers. Këshilltari financiar i këtij transaksioni për JFC ka qenë banka UBS.
Me shitjen e degës rumune, banka e Pireut përmbush kështu një ndër katër objektivat strategjikë deri në vitin 2020. Tre të tjerët janë shitja e degës në Serbi, Bullgari dhe Shqipëri.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.