Banka e Shqipërisë, çfarë parashikohet për vitin 2017 për normën e interesit, inflacionin e qëndrueshmërinë ekonomike

Përgjatë vitit 2017, Banka e Shqipërisë gjykon se zhvillimet ekonomike dhe financiare do të mbeten në një trajektore pozitive, bazuar edhe mbi ecurinë e 6 mujorit të dytë të 2016.
Deklarata e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2016 konstaton një rritje të inflacionit gjatë kësaj periudhe.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se intensiteti aktual i stimulit monetar është i duhur për të arritur objektivin e inflacioni në afat mesëm.
Ndaj Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1.25 për qind.
Po ashtu u vendos të mbahet e pandryshuar norma bazë e interesit për depozitën njëditore në 0.25 për qind dhe ajo për kredinë njëditore në 2.25 për qind.
Bazuar në informacionin e disponuar dhe pritjet për të ardhmen Këshilli Mbikëqyrës gjykon se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të katërt të 2017.
Ky stimul monetar, është përcjellë përmes normës bazë të interesit, e cila qëndron në nivelin më të ulët historik prej 1.25%, përmes operacioneve injektuese të likuiditetit dhe orientimit të tregjeve financiare për kursin e ardhshëm të politikës monetare.
Përmirësimi i indikatorëve ekonomikë gjatë vitit 2016 i pasqyruar në Raportin Tremujor të Politikës Monetare të BSH, pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2017. Për këtë arsye Banka e Shqipërisë parashikon një vlerë mesatare të inflacionit për këtë vit në 2.3%.
Ndonëse janë përmirësuar kushtet e kreditimit për individët dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme, gjykohet se ato mbeten të shtrënguara për bizneset e mëdha.
Banka e Shqipërisë vlerëson balancën e rreziqeve të afatin e shkurtër si të përmirësuar, por në afatin e mesëm, mbetet e dominuar nga rreziqet e kahut të poshtëm.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.