Banka Qendrore Europiane në vështirësi me pabarazinë gjinore
Banka Qendrore Evropiane ka zgjatur afatin për plotësimin e tre vendeve të punës në degën e mbikëqyrjes së bankës, pasi nuk ka punësuar asnjë grua për këto role, thanë dy burime, duke ilustruar edhe një herë përpjekjet e gjata të bankës për të tërhequr talentet femra për pozita të larta.
Me vetëm një grua në Këshillin e saj Drejtues 25-anëtarësh dhe vetëm një grusht femrash në Këshillin Mbikëqyrës, BQE për kohë të gjatë është kritikuar nga ligjbërësit europianë për nxitjen e një kulture që favorizon burrat, të cilët mbajnë mbi tre të katërtat e pozitave të larta drejtuese.
Presioni në bankë u rrit vetëm në muajt e fundit kur dy mbikëqyrësit kryesorë të bankave, Daniele Nouy dhe Sabine Lautenschlaeger, u zëvendësuan nga burra, duke iu kundërvënë objektivit të deklaruar të BQE-së për përmirësimin e balancës gjinore.
BQE, e cila mbikëqyr 117 nga bankat më të mëdha të eurozonës me 21 trilionë euro asete, tani do të kërkojë aplikime për tri vendet e lira të bordit të brendshëm mbikëqyrës deri më 12 qershor në vend të afatit përfundimtar të 15 majit.
Burimet të brendshme thanë se në mënyrë ideale duhet të ketë të paktën dy gra që plotësojnë gjashtë vendet e brendshme të Bordit Mbikëqyrës për të shpërndarë tensionet politike mbi pabarazinë gjinore.
Një konflikt mbi gjininë gjithashtu rrezikon ngadalësimin e miratimit parlamentar të anëtarëve të bordit të BQE-së, një situatë delikate, pasi presidenti i BQE Mario Draghi dhe anëtari i bordit Benoit Coeure janë që të dy në pozita largimi në muajt e ardhshëm. Edhe emërimi i Mersch në Bordin e BQE-së në vitin 2012 zgjati disa muaj për shkak të ankesave të ligjbërësve rreth mosbalancimit gjinor.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.