Bankat, 15.7 mld lekë fitime – Ulja e kredive me probleme shëndosh bilancet
Sistemi bankar zgjeroi më tej fitimet gjatë muajit gusht. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi progresiv i tetëmujorit arriti në 15.7 miliardë lekë, nga rreth 14 miliardë lekë që pati qenë për shtatëmujorin.
Fitimi i bankave është zgjeruar me afro 2.8 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e fitimeve të bankave po vjen paralelisht me rënien e raportit të kredive me probleme. Ky tregues ka rënë në 15.1%, nga 21.4% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pikërisht rënia e kredive me probleme është një nga faktorët kryesorë që po ndihmojnë në rritjen e fitimeve të sistemit, falë rënies së shpenzimeve për provigjione. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ka qenë shtysa kryesore në rritjen e fitimeve për këtë vit.
Fitimet më të larta po shëndoshin më tej kapitalizimin e sistemit bankar. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka arritur në 16.3%, ndjeshëm sipër kërkesave minimale të Bankës Qendrore.
Këshilli Mbikëqyrës, në deklaratën e javës së kaluar, vlerësoi se rënia e kredive me probleme dhe zgjerimi i fitimeve priten të ndikojnë pozitivisht në një ofertë më të lartë për kredi nga sistemi bankar në vazhdim.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.