Bankat amerikane, “OK”- Stress testi i parë për 2017, shëndet i plotë

Stress-testi i parë i Rezervës Federale për këtë vit, arrin në përfundimin se, 34 banka amerikane kanë rritur ndjeshëm pasurinë e tyre në krahasim me vitin 2008. Bankat amerikane gëzojnë kështu një shëndet të mirë, dhe kjo mund të shtyjë Donald Trump drejt një liberalizimi të sistemit financiar dhe të nxisë bankat që të rrisin dividentët dhe të riblejnë tituj.
Këto lloj testesh janë bërë të detyrueshme me ligj që prej vitit 2010, paçka se u aplikuan që në vitin paraardhës , dhe kanë për qëllim që të testojnë sektorin, duke reduktuar në minimum rrezikun e një kolapsi si ai i viteve 2008-2009.
Për të tretin vit me radhë, ky lloj testi tregon një shëndet të mirë të sektorit bankar amerikan. “Rezultati i këtij viti tregon se, edhe në rast recesioni, bankat tona do të qëndronin të mirëkapitalizuara”-thotë një anëtar i bordit të Rezervës Federale.
Kjo gjë, iu mundëson huadhënësve amerikanë që të japin kredi duke mbështetur familjet dhe bizneset në kohë të vështira.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.