Bankat do të raportojnë vetëm me IFRS – Banka e Shqipërisë plotëson kërkesën e hershme
Që nga viti i ardhshëm, bankat tregtare do të raportojnë vetëm me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar. Kjo kërkesë, e artikuluar prej shumë vitesh nga bankat tregtare, ka gjetur më në fund miratimin e Bankës së Shqipërisë. Bankat aktualisht duhet të kryejnë edhe një raportim të dytë financiar për nevoja të mbikëqyrjes bankare, sipas standardeve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë. Mes dy standardeve ekzistojnë ndryshime thelbësore, të lidhura sidomos me parimet e përllogaritjes së fondeve rezervë për humbjet nga huatë. Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla, shpjegon në një intervistë për Tv Scan rrugën që do të ndiqet për kalimin në një standard të vetëm raportimi.
Megjithatë, Deralla thekson se Banka e Shqipërisë do të rezervojë gjithmonë të drejtën për t’iu kërkuar bankave rishikim të nivelit të provigjioneve në rastet kur gjykon se ato nuk janë krijuar në nivele të mjaftueshme.
Përcaktues te konvergjenca në një raportim të vetëm ka qenë implementimi i standardit të ri të raportimit, IFRS 9, dy vjet më parë. Adoptimi i këtij standardi ka përafruar ndjeshëm vlerat e fondeve rezervë me ato të përllogaritura sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.