Bankat e mëdha në SHBA – Pritet një ngërç në kreditim, fitojnë nga tregtimet në T1

Bankat e mëdha në SHBA treguan në raportet e tyre për tremujorin e parë një ngadalësim në rritjen e kreditimit, pavarësisht komenteve nga ekzekutivët se kërkesa është e fortë.
JP Morgan dhe Citi publikuan të ardhura sipër projeksioneve për tremujorin e parë, kryesisht prej aktivitetit tregtar. Wells Fargo, që orientohet më shumë në huadhënie dhe më pak në bizneset e lidhura me tregjet, raportoi një rënie të lehtë në fitim prej ngadalësimit në kreditë hipotekore.
Rezultatet kanë shtuar shqetësimet se normat më të larta të interesit, së bashku me pasiguritë mbi eventet gjeopolitikë, mund të dëmtojnë ekonominë. Megjithatë, ekzekutivët e bankave i hodhën poshtë këto shqetësime, duke nënvizuar një kërkesë të fortë nga huamarrësit.
Kreu i JPMorgan, Jamie Dimon tha se nuk duhet mbireaguar ndaj rritjes afat-shkurtër të kreditimit pasi ka shumë faktorë që po ndikojnë.
Portofoli bazë i kredive i JPMorgan rezultoi në një mesatare prej 812 miliardë dollarë në tremujorin e parë, në rritje me 9% me bazë vjetore. Në tremujorin e katërt 2016, rritja qëndronte në 12%.
Portofoli i kredive i Citi u rrit me 5% në tremujorin e parë. Sipas të dhënave të Rezervës Federale, në të gjithë industrinë, kreditë kanë rënë lehtë për tremujorin e parë.
Wells Fargo ra me 2.6% në vlerë tregu gjatë sesionit të djeshëm në 51.7 dollarë për aksion. Citi dhe JPMorgan ranë me 0.7 dhe 0.6% në mënyrë respektive pas raportimit.
Biznesi i kredive hipotekore po shton presione ndaj rritjes së kreditimit. Rritja e fundit e normave të interesit ka frenuar vrullin e rifinancimit të kredive hipotekore që nisi në vitin 2010, duke sjellë rënie në të ardhurat nga këto aktive.
Edhe fusha të tjera të huadhënies janë ngadalësuar. Kreu i Financave i JPMorgan thotë se korporatat kanë preferuar emetimin e obligacioneve se sa huatë tradicionale.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.