Bankat europiane prekin “fundin” -Vlera në treg, pranë nivelit të viteve ‘80
Normat negative të interesit, luhatjet në tregjet e borxhit, mbikqyrja rregullatore dhe rritja e sinjaleve për recesion, kanë fshirë vlerën në treg të shumë bankave europiane. Indeksi që mat vlerën në treg të bankave më të mëdha të Europës, ra këtë javë në nivelin më të ulët që prej vitit 2012, kur ishte edhe kulmi i krizës së borxheve sovrane të Eurozonës.
Kjo nënkupton se bankat kanë prekur tashmë të njëjtën vlerë që kanë pasur kur Greqia, Irlanda, Portugalia dhe Qipro kërkonin programe të ndihmave financiare. Pavarësisht se niveli ska arritur ende fundin e prekur gjatë krizës financiare të vitit 2008, indeksi i bankave ka humbur 84% të vlerës që prej kulmit të arritur në 2007-ën. Ky indeks është pranë niveleve të viteve 80, kur euro ka qenë ende një vizion dhe shumë vende përdornin rublën sovietike.
I gjithë sektori bankar për Eurozonën vlen tashmë më pak se gjysmë trilionë dollarë, apo sa gjysma e vlerës në treg të Microsoft. Sektori humbi më shumë se 3% ditën e Mërkurë, kur u publikuan të dhënat për tkurrjen e ekonomisë Gjermane dhe tregu i borxhit në SHBA shfaqi sinjale të recesionit. Në kulmin e 2007-ës, bankat e Eurozonës vlenin 1.7 trilionë dollarë, shumë sipër vlerës së homologëve amerikanë. Tashmë janë sa 1/3-a e bankave përtej Atlantikut.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.