Bankat fitimprurëse – Dymujori, rezultati në rritje me 18%
Sistemi bankar zgjeroi fitimet edhe gjatë muajit shkurt. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për dymujorin e parë të vitit, rezultati i përbashkët i bankave tregtare ishte pozitiv në vlerën e 2.57 miliardë lekëve, në rritje nga fitimi prej 1.7 miliardë lekësh i muajit janar. Fitimi i bankave është gjithashtu më i lartë krahasuar me dymujorin e parë të vitit të kaluar, me 18% më shumë.
Përfitueshmëria e bankave paraqitet në nivele më të larta krahasuar me mesataren e vitit 2016, me një kthim kapitali në nivelin 11.1%. Viti 2017 ka nisur pozitivisht, edhe falë një stabilizimi të nivelit të kredive me probleme.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në fund të shkurtit ishte 18%, më i ulëti që nga korriku i vitit 2011. Pas uljes në fund të vitit 2016, sidomos falë pastrimit të bilanceve nga kreditë e humbura, shkalla e kredive me probleme ka rezultuar e qëndrueshme në dy muajt e parë të këtij viti.
Megjithatë, për një ulje më domethënëse të nivelit të kredive me probleme do të jetë përcaktuese një rritje sasiore e portofolit të kredisë. Në dy muajt e parë të vitit, kreditimi ka ngelur i plogësht.
Në fund të shkurtit, kredia ishte pothuajse në stanjacion, me një ndryshim pozitiv prej vetëm 0.25% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.