Bankat shpresojnë për Macron – “Ish-bankieri i Rothschild” do të sillte përfitime për industrinë

Kandidati i qendrës në garën presidenciale në Francë, Emmanuel Macron, është etiketuar nga kundërshtarja e tij si një aleat i industrisë bankare.
Nëse ai fiton ditën e diel, 39-vjeçari ish-ministër i ekonomisë që ka punuar më parë për kompaninë e shërbimeve financiare “Rothschild & Cie”, do të bëhej presidenti i parë ish-bankier që prej Georges Pomidou në 1969.
Analistët e BNP Paribas thonë që Macron e kupton se tregjet e lira dhe kapitalizmi janë mënyrat që krijojnë pasurinë në vend dhe se kjo përbën një plus për të.
Menjëherë pas daljes së dy kandidatëve në raundin e parë, indeksi CAC 40 i titujve të kapitalit në Francë u rrit në një nivel 9 vjeçar, nxitur nga aksionet e bankave.
Sondazhet tregojnë se ai do ta mposhtë fare lehtë kandidaten anti-euro Marine Le Pen në datën 7 Maj. Një fitore e Macron do të sillte përfitime për industrinë bankare nëse ai e mbështet duke ulur taksat, liruar investimet dhe lehtësuar rregullat e punës.
Analistët e BNP Paribas thonë se ndërkohë që ekonomia përmirësohet dhe situata e tensionuar politike përfundon, normat e interesit do fillojnë të rriten, që do të përmirësojë aktivitetin e institucioneve financiare.
BNP Paribas, huadhënësi më i madh në Francë, dhe Societe Generale, do të publikojnë rezultatet për tremujorin këtë javë, ku projeksionet janë për rënie të të ardhurave.
Zgjedhjet më 7 Maj japin dy alternativa; kandidatin pro-tregtisë së lirë e pro-Bashkimit Europian dhe nacionalisten Le Pen. Macron ka propozuar uljen e taksës korporative në 25%, ndërsa Le Pen ka bërë thirrje për një taksë ekstra për kompanitë që punësojnë punonjës të huaj, tarifa doganore dhe tërheqje nga paktet tregtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.