Bankat, suksesi i Shqipërisë – Raporti i “Wef” për konkurrueshmërinë, sektori jep shtysën
Shqipëria fitoi 5 pozicione në renditjen globale të indeksit të konkurrueshmërisë nga Forumi Ekonomik Botëror këtë vit, falë dy indikatorëve kyç, ambientit makro-ekonomik dhe sektorit financiar.
Nën-indikatori që i referohet këtij të fundit flet për një përmirësim me plot 13 pozicione në krahasim me një vit më parë, duke u ngjitur në vendin e 81-të, nga ai i 94-t. Ky nën-indikator shtjellohet më tej në raport, në profilin e Shqipërisë, nëpërmjet 8 nën-indikatorëve të tjerë.
Ndër ta, një përmirësim të konsiderueshëm ka bërë nën-indikatori që i referohet gjendjes së përgjithshme të bankave. Një vit më parë, në këtë drejtim, Shqipëria renditej e 64-ta në botë, ndërsa në raportin e këtij viti, renditet e 55-ta ndër 138 shtete.
Gjendja e bankave është kështu nën-indikatori që i jep Shqipërisë renditjen më të mirë globale në shtyllën që i referohet financave.
Një përmirësim drastik në renditje, vendi ynë ka bërë edhe në nën-indikatorin që i referohet përballueshmërisë së shërbimeve financiare, ose kostove. Në raportin e kaluar, Shqipëria renditej e 92-ta, ndërsa sot, e 72-ta.
Por, veç gjendjes së bankave dhe kostos më të ulët të shërbimeve financiare, përmirësimi në renditje i Shqipërisë në këtë renditje, duke u ngjitur në vend të parë në rajon, duket se është rrjedhojë e e licencimit të bursës së parë private shqiptare. Nën-indikatori që i referohet rregullatorëve të bursës, e rendit Shqipërinë të 88-tën në botë, nga vendi i 103-të i një viti më parë, ndërkohë që ai që i referohet disponueshmërisë së shërbimeve financiare e rendit të 79-tën.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.