Bankat zgjerohen jashtë – BKT në Uzbekistan, Credins në Kosovë
Bankat lokale jo vetëm që po faktorizohen gjithnjë e më shumë në tregun vendas, por po zgjerohen edhe jashtë Shqipërisë. Banka më e madhe në vend, BKT, pasi është afirmuar edhe në tregun kosovar, tashmë ka vendosur të nisë një eksperience të re dhe, tashmë, të largët: së shpejti, ajo do të hapë një degë të sajën në Uzbekistan.
Vendimi për të tentuar suksesin në vendin e Azisë Qendrore është sigurisht surprizues, megjithëse Uzbekistani është një ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në rajonin në fjalë gjatë viteve të fundit. Potencialet e këtij tregu ndoshta vlerësohen me interes nga aksionerët e BKT. Një faktor tjetër mund të jetë interesi i grupit zotërues, Çalik Group, që ka aktivitete biznese në tregje dhe në sektorë të ndryshëm.
Banka tjetër me ekspansionin më të shpejtë në vitet e fundit, Credins Bank, ka vendosur edhe ajo të zgjerohet në tregun fqinj të Kosovës. Aktualisht, Credins është banka e tretë më e madhe në Shqipëri dhe zotëron rreth 13% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar. Synimi i Credins për të hyrë në tregun kosovar është i hershëm, që në kohën kur banka drejtohej ende nga Artan Santo.
Megjithatë, këtë vit, aksionerët e bankës më të madhe me kapital shqiptar kanë vendosur përfundimisht të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Kosovë. Tregu kosovar në vitet e fundit është rritur me ritme të larta dhe vlerësohet se potencialet janë ende të mëdha. Ekonomia kosovare ka pasur ritmet më të larta të rritjes në rajon gjatë viteve të krizës. Kjo ka ndihmuar në zgjerim të shpejtë të kreditimit dhe nivele të ulëta të kredive me probleme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.