Bankingu nga interneti – Numri i përdoruesve arrin në 322 mijë

Numri i llogarive bankare të lidhura me internetin ka regjistruar një rritje të fortë gjatë vitit 2017. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, tashmë janë 322 mijë llogari që aksesohen përmes shërbimit të internet banking, 54% më shumë krahasuar me vitin 2016. Rritja është e ndjeshme edhe në shkallën e përdorimit të shërbimit.
Në vitin 2016, vetëm 6% e llogarive aksesoheshin nga interneti, ndërsa në fund të vitit 2017 ky raport ka arritur në 10.3%. Ndonëse Shqipëria vazhdon të ketë një prapambetje në këto shërbime, në vitet e fundit po bëhen përparime domethënëse, edhe falë një përmirësimi gradual të kulturës financiare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, prej vitesh numri i llogarive bankare e ka tejkaluar numrin e përgjithshëm të popullsisë, çka tregon se mesatarisht çdo banor i Shqipërisë ka të paktën një llogari bankare. Gjatë vitit 2017, numri total i llogarive të klientëve në sistemin bankar shqiptar arriti në 3.14 milionë. Krahasuar me vitin 2016, numri i llogarive bankare ka rënë me afro 10%.
Megjithatë, besohet se kjo ka ndodhur për shkak të një spastrimi të llogarive inaktive, që nuk përdoreshin për një kohë të gjatë. Rreth 94% të llogarive bankare aktive i takojnë individëve. Në rritje paraqitet e dhe numri i llogarive të jorezidentëve, që në fund të vitit të kaluar arriti në afro 32 mijë, në rritje vjetore me 11%.
Ersuin Shehu/SCAN
Burimi: Banka e Shqipërisë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.