Banorët e Astirit në protestë, Rama nga Kuvendi: Asnjë dëmshpërblim për zaptuesit

Asnjë dëmshpërblim nuk do të ketë për zaptuesit e Unazës së Re, deklaroi Kryeministri Edi Rama nga Kuvendi, duke u ndalur te emra të përveçëm.
“Sot Kuvendi diskuton pr/ligjin e buxhetit, ndërsa opozita mungon jo vetëm fizikisht por edhe figurativisht. S’kemi çfarë bëjmë jemi të dënuar ta udhëheqim vendin pa opozitë. Ndërsa opozita udhëheq aktualisht protestën më të turpshme që këtij vendi i kanë zënë sytë ndonjëherë, në mbrojtje të ndërtimeve të paligjshme kundër interesit publik.
Abuzuesit e Unazës së Re kërkojnë mbi 30 milion dollarë për të liruar pronën që nuk është e tyre dhe sipas tyre dhe sipas atyre që duan ti përdorin si mish për top, ne përpara se të rrisim pagat, duhet të paguajmë zaptues profesionistë, si ata që janë shfaqur si një kategori e re e panjohur falë kësaj protestë rezultojnë të kenë kthyer në biznes ndërtimtarinë pa leje.
Këto dhjetëra milionë dollarë nuk duhet ti marrin rreth 30 mijë familje për bebet që do të sjellin në jetë në 2019, por duhet ti marrin zaptuesit e trojeve publike dhe private në shtratin e Unazës së Re.
Po pse ti marrin nga lekët e bebeve, mund të pyesë ndonjëri. Kadri Vasili do thoshte nga lekët e Unazës së Re merrni dhe jepjani zaptuesve sepse e keni korruptiv çmimin e kilometrave. Kjo qasje që është e përhapur ndër Kadrinjtë e opozitës është një kadriotizëm me yllin në ballë dhe Andin nën shalë. Buxheti i ri 30 milionë dollarë për rritjen e pagave të mësuesve, mjekëve, ushtarakëve, diplomatëve dhe punonjësve të sistemit peritenciar. Kujt t’ia marrim rrogën e t’ia japim Gjovalinit nga Laçi, i cili është në protestë dhe do dëmshpërblim, edhe pse ka dy godina të tjera pa leje, i janë legalizuar të dyja. Ka një godinë tjetër pa leje në Kashar i është legalizuar edhe ajo dhe ka një godinë tjetër në Laç nga ku e ka nisur biznesin e zaptimit në proces legalizimi, etj
Nuk e mendojmë çmendurinë që të dëmshpërblejnë cdo zaptues të territoreve me interes publik, nuk dalin më buxhetet e 25 viteve të ardhshme për të bërë një gjë më shumë sesa është bërë në të shkuarën.
Për ata të unazës së re, duhet të jetë shumë e qartë. Kush ka titull pronësie do të marrë dëmshpërblimin sipas ligjit dhe do largohet që aty. Kush nuk ka titull pronësie dhe ka vetëm një strehim do të marrë bonus tre vjet qiraje. Kush ka ngrehina të kategorisë së Bashkimit, Kutjimit, Agronit, Ramazanit, të largohet sa më parë dhe mos na dali përpara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.