Barack Obama për president…të Francës

A mundet Franca ta zgjedhë Obamën si president? Në të vërtetë jo, por kjo gjë nuk i ka ndaluar organizatorët e Obam17, një fushatë që përpiqet të marrë vëmendjen e ish-presidentit për të shkuar në paris.
“Është çmenduri, por gjëja e bukur është se mendon se ndoshta është e mundur. Çfarë pastaj se ai nuk është francez? Ai është Barack Obama”, tha njëri nga organizatorët për CNN.
Grupi ka ngritur një website si dhe ka ngjitur mbi 500 postera të Obamës nëpër Paris. Ata do të përpiqen të mbledhin 1 milion firma për një peticion që i kërkon Obamës të kandidojë.
“Po, është shaka, por me një qëllim serioz”, thotë një tjetër organizator. “Duam të tregojmë se njerëzve u kanë ardhur në majë të hundës politikanët këtu. Njerëzit e pëlqejnë këtë shaka, pasi u jep diçka për të buzëqeshur, pas gjithë këtyre skandaleve”.
Francezët do të votojnë në 23 Prill në raundin e parë të zgjedhjeve për president. Nëse askush nga kandidatët nuk merr mbi 50% të votave, dy kryesuesit do të garojnë në 7 Maj.
“Nuk e durojmë dot më atë çfarë Le Pen po bën. Duam një kandidat të cilin ta votojmë, por gjejmë vetëm kandidatë të cilët duhet të votojmë kundër”, thotë Antuani.
“Na kanë ardhur edhe shumë e-maile nga avokatë, të cilët na sqarojnë se si mund të arrihet kjo. Obama do të duhet të natyralizohet nga presidenti i Asamblesë”, thotë ai.
Antuan nuk e di nëse Obama është në dijeni të projektit të tyre, por ka shumë shpresa.
“Nuk e dimë nëse Obama do të përgjigjet, por nëse po, atëherë do të ketë një reagim të jashtëzakonshëm këtë, sidomos nga të rinjtë. Megjithëse ai do t’i thotë jo propozimit tonë”.
Përshtati: Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.