Baraka e vogël që u bë investim i madh! Një histori suksesi në krijimin e bizneseve në agroturizëm – SCAN MAGAZINE
Nga një barakë e vogël, në një investim gjigant! PO, është e mundur! Nuk është as historia e parë dhe as historia e fundit e suksesit, por ndoshta është një nga ato për të cilat nuk dimë shumë. 20 vite mund e djersë, diku në periferi të Tiranës… Këtë herë, jemi në Prezë, në një prej agroturizmeve më të njohura e cilësore në vend! “Ky është një biznes që ne sot e shikojmë të përfunduar, të përfunduar nuk ka se nuk ka përfundim asnjëherë se jeta është dinamikë, po ashtu dhe vendi ku jemi ne, por fillimi ka qenë i vështirë, me thënë të drejtën, u nis si diçka normale për të shfrytëzuar atë mundësi që kishim, që na u dha në atë kohë kur u prish sistemi kooperativist, u ndanë tokat sipas familjeve, dhe pjesa ime qëlloi këtu ku jemi sot. Për ta vendosur në shfrytëzim këtë tokë, unë mendova të mbjell vreshtë dhe avash avash,nga viti në vit, u shit sipërfaqja u rrit prodhimi, u shtuan dhe kërkesat për produktin. Unë të them të drejtën, deri në fillim e kam mbyllur ciklin, rrushin e bëra verë, u rritën kërkesat, erdhi momenti që ne sot u bëmë me restorant, me hotel, me këtë që ne shohim të gjithë sëbashku” shprehet administratori i kantinës, Qemal Alushi.
Nga biznes familjar në sipërmarrje
Deri në 95-ën, Qemali ka punuar në fabrikën e tullave në Vorë. Kantinën që sot prodhon deri në 13 mijë litra në vit, e nisi me vreshtat e vogla të rrushit. Ndërsa bënte një punë të dytë asokohe, shfrytëzonte rastin të përhapte verërat e para, me një dhuratë, me një buzëqeshje, me një miqësi, nëpër familje dhe nëpër lokale. Nga 3 dynym vreshta me rrush, sot në 2 hektarë e gjysëm. E për të nisur, për t’u rritur, më shumë sesa të jesh ekspert mbase të duhet që të guxosh..“Jo nuk dija dhe kultura jonë nuk është, vetëm raki kemi prodhuar por me ndihmën e shokëve dhe miqve që ishin specialist në këtë fushë, pasioni im pastaj arrita që të prodhoja një verë të mirë derisa ajo kërkohet në treg dhe kam klientë që e kërkojnë. Vera ime kërkohet shumë më shumë se të huajat, kjo do të thotë që njerëzit, derisa e pëlqejnë si produkt, ja kemi arritur atij qëllimit” thotë Qemali. Rritja është punë e vështirë dhe ka nevojë të marrësh vendime. Të bashkëpunosh, e mbi të gjitha të kesh besimin e duhur se do ja dalësh. “Ka qënë një histori shumë e lezetshme, këtu tek vreshti ishte pa bërë rruga, sipër vreshtit. Ishin dy gra dhe po e shihja që po qeshnin. Unë isha poshtë dhe gjithnjë me idenë që ishin njerëzit e mi. U afrova, e pashë që nuk i njihja ndërsa ato vazhdonin qeshnin. Çfarë ka që qeshni i pyeta unë. Njëra tha jam shqiptare, kjo është mikja ime austriake, edhe po qeshnim se unë doja të merrja agrume. Shoqja ime po qeshte se tha marrim se këtu nuk ka ‘zot’. Kur të pamë ty thamë paska ‘zot’ dhe po qeshnim. Erdhi dhe një grua tjetër gjermane, u përshëndetëm. Gjermanes po i dukej vendi shumë i bukur, më pyeti a kemi ndërmend të bëjmë diçka përveç vreshtit. Unë i tregova që do bëj kantinën, mund të bëj dhe një lokal dhe gjermania u bë shumë optimiste. Më tha që do jetë një gjë shumë e bukur. Në atë kohë po vinte dhe djali im i cili ishte skeptik, e gjithë familja me thënë të drejtën. I thashë asaj gjermanes foli siç më fole mua. Ajo ka qëndruar një orë duke thënë sa vend i bekuar është. Kur ajo iku, erdhi djali dhe më tregoi ç’kishin folur. Baba e di i thashë, se unë po investoj këtu, prandaj po e bëj, por e ka thënë për ju. Edhe sot e kujtojmë shpesh atë histori…” shprehet administratori i kantinës.
Kreditimi si frymëmarrje
Sot Qemali, sëbashku me familjen, nuk janë vetëm në krye të kantinës, por kanë ndërtuar restorant dhe hotel në të cilin angazhohen gjatë gjithë ditës. Qemali zgjohet çdo ditë në pesë e gjysëm, kujdeset që restorantit të mos i mungojnë prodhimet e freskëta dhe pasdite shijon peisazhin e bukur të Kalasë së Prezës. A ka qënë gjithmonë kështu? JO. Në një moment të vështirë, atij i ka ardhur në ndihmë një partner… Banka Credins që ofron një produkt të posaçëm dedikuar agrobiznesit…“Momenti më i vështirë është rikonstruksioni. Ishte një punë kolosale.. Për gjashtë javë u transformua gjithçka që ishte këtu dhe ishte një periudhë shumë e sforcuar nga ana ime, por që në këto raste lind dhe nevoja e mbështetjes. Nuk përballohet gjithçka me forcat e tua dhe unë isha klient i Credins Bank. Që unë të kaloja atë moment të vështirë ishte dhe ndihma e atyre” shton Qemali. A mund të tremben sipërmarrësit kur shohin punën tuaj?, pyesim Qemalin. “Përkundrazi, kjo duhet të jetë një shembull. Ju e shikoni, këtu është vendi është shumë i bukur por i vështirë, nga rruga nga të gjitha kushtet. Shqipëria është vend i begatë, vend më të mirë nuk ka, ka ullishtat, janë agrumet, është vreshti. Të gjitha llojet e pemëve që ka Mesdheu prodhohen në Shqipëri dhe duke i pasur gjithë këto të mira, askush nuk duhet të trembet. Mjafton të ketë iniciativë, guxim dhe një plan të mirëfilltë për atë që do të bëjë, mos ti hyjë kot për të nisur një gjë pa një objektiv. Duke i pasur këto, gjithëkush mund të realizojë gjithçka. Ky është mesazhi im për të gjithë ata që duan të punojnë dhe të ndërtojnë jetën në Shqipëri” shprehet ai.
Rezultati i punës
Duhet të jesh aty, në tokën tënde, ta duash atë që bën e të mos trembesh. Qemali, nuk u tremb dhe nuk u largua. Një sipërmarrës kaq i dashuruar me atë që bën saqë nuk e la kurrë punën vetëm dhe nuk ka dalë asnjëherë jashtë shtetit. “Që në ‘94 nuk i kam vënë kurrë vulë pashaportës. Jam obliguar me këtë punën këtu dhe më duket sikur s’kam pasur kohë për të dal jashtë vendit. Jam patriot dhe për produktet jam për t’i marrë këtu. Shqipëria ka mundësi, në fillim të viteve ’90, nëpër tezgat e tregtarëve shkruante ‘mall i huaj grek/italian’, kurse sot dhe po e morën nga jashtë kanë qejf ta vënë ‘mollë vendi’ – thekson Qemali.
Sipërmarrja, në afërsi të Kalasë së Prezës, dikur do të kishte qenë e paimagjinueshme në këtë zonë. Kurse sot, biznesi është degëzuar tek pasardhësit. Burrë e grua kujdesen për restorantin dhe hotelin. Djali ka studiuar vreshtarinë në Itali, ndërsa vajza merret me degustimin e verës. Sekreti profesional i familjes Alushi, është vullneti, këmbëngulja dhe bashkëpunimet e duhura përgjatë rrugëtimit të vështirë. Këto biznese, i japin jetë agrobiznesit në Shqipëri, ekonomisë së vendit dhe janë frymëzim për çdo sipërmarrës. E në fund, përpos çdo vështirësie, puna e palodhur shpërblehet. Unë kam disa foto përpara se të bëhej vreshti edhe duket si absurde kur e shikon sot, është e pabesueshme se çfarë ka qenë. Është një kënaqësi shpirtërore e pafundme kur klientët janë të kënaqur. Është ndjesi e vecantë. Momenti më i bukur ka qënë kur u hap vera e parë dhe e shijuam. Doli diçka që e pëlqyem shumë dhe ai moment, nuk harrohet kurrë” e mbyll Qemali duke buzëqeshur.
Jenida Vladi / SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.