Barazia gjinore në politikë – Kandidojnë 1072 gra, por janë në fund të listave

Përfaqësimi i grave në politikë në vendin tonë ka qenë një problem i hershëm, ndoshta për faktin se në mentalitetin shqiptarë “politika “ishte punë burrash.
Por gjërat filluan të ndryshojnë me kalimin e viteve e madje të hartohen edhe ligje me sanksione të cilat ndëshkojnë subjektet politike të cilat nuk kanë barazi gjinore në përfaqësim.
Sipas të dhënave statistikore të partive politike të publikuar nga vota.al: teknikisht duket sikur kemi përfaqësim të lartë të grave, pasi 60% janë burra dhe 40% kandidate gra, ose 1072 kandidate gra e vajza ndaj 2666 meshkuj.
Përqindja e grave që kanë shans për tu zgjedhur deputete, për shkak të pozicionit në listën shumë emërore është pak më e lartë sesa 2013, por shumë larg pritshmërive, premtimeve dhe standardeve që partitë politike kishin deklaruara përpara zgjedhjeve.
Partitë e drejtuara nga burra në vendin tonë kanë përdorur një truk për të plotësuar kuotat e përfaqësimit të grave por duke i listuar ato në fund të listës duke mos ju dhënë asnjë mundësi që të fitojnë. Referuar partive që kanë potencial për mandat elektoral, PS ka 4 gra drejtuese në qarqe, PD ka 2 gra drejtuese, LSI 3, PDIU 1.
Në përqindje kandidimi PD është 16% në distancë me PS, duke pranuar të marrë si ndëshkim edhe gjobë financiare nga ana e KQZ, gjobë që më 2013 e mori vetë PS në Gjirokastër. Rekord negativ PD ka Elbasanin, vetëm 1 grua në listën me 20 kandidatë, Kukësin me 4 kandidatë burra, dhe qarqet Fier e Berat ku në 3-4 vendet e para gjenden vetëm burra!
Pavarësisht se duket se PS është shumë më lart , në listën e Vlorës ku kandidon vetë kryeministri, pas gruas së parë në listë , renditen njëri pas tjetrit 8 burra, në Berat në listën me 8 emra ka vetëm 1 grua.
Nëse analizoni aktivitetin parlamentar 2013-2017 gratë deputete kanë qenë më aktive sesa burrat në komisione dhe në debatet politike, dhe natyrisht, asnjë prej tyre nuk ka qenë objekt i dekriminalizimit!
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.