Barbados heq dorë nga Mbretëresha Elizabeth – Krijon republikën e pavarur dhe shpall presidenten e saj të parë!
Barbados hoqi dorë nga Mbretëresha Elizabeth e Britanisë si kreu i shtetit, duke krijuar një republikë të re të martën (30 nëntor) dhe duke emëruar presidenten e saj të parë. Shteti shkëputi kështu lidhjet e fundit koloniale të mbetura gati 400 vjet pasi anijet e para angleze mbërritën në ishullin e Karaibeve.
Në ceremoninë e mesnatës, republika e re lindi nën brohoritjet e qindra njerëzve që mbushën urën Chamberlain në kryeqytetin, Bridgetown. Një përshëndetje me 21 armë u shkrep ndërsa himni kombëtar i Barbados u luajt mbi Sheshin e Heronjve të mbushur me njerëz.
Princi Charles, trashëgimtari i fronit britanik, qëndroi i zymtë ndërsa standardi mbretëror i Mbretëreshës Elizabeth u ul dhe u shpall Barbados i ri, një hap që republikanët shpresojnë se do të nxisë diskutimin e propozimeve të ngjashme në ish-kolonitë e tjera britanike që kanë Mbretëreshën si sovrane.
Presidentja e re e vendit u shpreh se duke pasur një ndjenjë të qartë se kush jemi dhe çfarë jemi në gjendje të arrijmë, në vitin 2021, ne tani e kthejmë harkun e anijes tonë drejt republikës së re.
Barbados e sheh largimin e Elizabeth II, e cila është ende mbretëreshë e 15 mbretërive të tjera duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Kanadanë dhe Xhamajkën, si një mënyrë për t’u shkëputur përfundimisht me demonët e historisë së saj koloniale.
Pas një shfaqjeje verbuese vallëzimi dhe muzikës vendase, të kompletuar me fjalime që festonin fundin e kolonializmit, këngëtarja me origjinë nga Barbados, Rihanna u shpall hero kombëtar nga kryeministrja Mia Mottley, udhëheqësja e lëvizjes republikane të vendit.
Lindja e republikës, 55 vjet nga dita që kur Barbados shpalli pavarësinë, zhbllokon pothuajse të gjitha lidhjet koloniale që e kanë mbajtur ishullin e vogël të lidhur me Anglinë që kur një anije angleze e pretendoi atë për mbretin James I në 1625.
Edel Strazimiri /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.