Barra fiskale ndaj bizneseve, Ahmetaj fajëson vendorët: Ne ulim taksat, Bashkitë rrisin tarifat
Qeveria qendrore ia faturon pushtetit vendor “fajin” për ngarkesën e lartë fiskale kundrejt sipërmarrjes. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj në një takim me drejtues të pushtetit vendor, theksoi se ky i fundit ka pasur tendencë rritëse të tarifave vendore ndaj bizneseve, ndërsa qeveria është orientuar drejt uljes së taksave.
Duke e konsideruar si gangrenë, Ahmetaj bëri me dije se detyrimet e prapambetura të bashkive ndaj palëve të treta janë rritur, dhe u bëri apel kryebashkiakëve që të respektojnë afatet kohore për shlyerjen e tyre.
Ndërsa në ballafaqim me Ministrin, sa i përket detyrimeve dhe të ardhurave që shkojnë nga pushteti qendror tek ai lokal nga transferta e pakushtëzuar e buxhetit të shtetit, bashkitë kërkojnë ndarje të të ardhurave edhe nga TVSH-ja.
Në konferencën e mbajtur në kuadër të ligjit të financave vendore, 1 vit pas aplikimit të tij, bashkitë ngritën si shqetësim edhe faktin se të ardhurat që shkojnë për pushtetin vendor nga ai qendror në vlerën 1 për qind të PBB, janë të pamjaftueshme për nevojat e bashkive.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.