Basha: BB konfirmon rritjen e taksave, Shqipëria e fundit për investitorët e huaj
Shqipëria humbet 7 vende në vlerësimin e Raportit të Bankës Botërore “Doing Business 2018”. Sipas kreut të PD Lulzim Basha faktori kryesor i këtij përkeqësimi është rritja e taksave dhe detyrimeve.
“Raporti shprehet se 37.3% e fitimit shkon për taksa dhe kontribute, ndërkohë që qeveria zvarrit pafundësisht rimbursimin e TVSH-se. Fqinjët tanë vazhdojnë të kenë një renditje më të mirë sesa Shqipëria e cila renditet në vendin e 65. Maqedonia renditet në vendin e 11, Kosova në vendin e 40, Mali i Zi në vendin e 42, duke treguar përparësi krahasuar me Shqipërinë”, shkruan Basha në facebook.
Sipas Bashës edhe këtë vit investitorët e huaj që duan të investojnë në Ballkan do ta shohin Shqipërinë si zgjedhjen e fundit.
“Edhe ketë vit, ashtu si vitin e kaluar, mesazhi është shumë i qartë: Investitorët e huaj që duan të investojnë në Ballkan, e shohin Shqipërinë si zgjedhjen e fundit. Janë vendet fqinjë (Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi) të cilat do të jenë më të afta për të thithur investitorët e huaj”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.