Basha me investitorët gjermanë: Alternativa jonë një “produkt realist” që jep zgjidhje

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një takim me investitorët gjermanë u shpreh se do të mbështesë politikën e taksave të ulëta, pasi sipas tij ky është thelbi i politikës së tij fiskale.
“Një falenderim të madh kam për të gjithë ju, pasi pas të gjithë takimeve që kam pasur ditët e fundit, kam parë realitetin në sy. Është evidente, qeveria rriti taksat për luks dhe për miqtë e kryeministrit. Jam rikthyer për të dëgjuar qytetarë dhe investitorët. Alternativa jonë është një “produkt realist” që jep zgjidhje. Ne besojmë te shpirti sipërmarrës i njeriut në liri. Ne shohim më shume liri për individin, më shume liri për sipërmarrësin”, theksoi Basha.
Kryedemokrati Basha gjatë fjalës së tij foli edhe për politikën fiskale që përmban programi i Partisë Demokratike: “Ne mbështesin politikën e taksave të ulëta, pasi ky është thelbi i politikës sonë fiskale. Tatimi mbi dividentin do zërohet, TVSH do të jetë në nivelin 15 për qind. Do ofrojmë lehtësira fiskale për fushat prioritare të zhvillimit. Këto lehtësira do ofrohen në sektorë kyç si turizmi, teknologjia dhe inovacioni. Paratë e përfituara nga taksave do shkojnë në shërbim të taksapaguesve”, u shpreh Basha.
Në takimin me investitorët gjermanë, Basha foli edhe për koncesionet: “Kontratat koncesionare do të bëhen publike. Nuk do lejojmë konkurrime për fondet publike me një kandidat ne garë. PPP dhe kontratat koncesionare do të rishikohen dhe do të jenë transparente. Duam të rrisim përfitimin publik nga asetet publike”.
Sa i takon investimeve, kreu i PD Basha u shpreh “Në qeverinë time nuk do ketë investime fasadë. Investimet e bëra deri më tani nuk kanë sjellë punësim. Në Shqipëri është i nevojshme ndërtimi i një porti strategjik për të krijuar lidhje me Ballkanin dhe më gjerë, me qëllim shtimin e punësimit”, theksoi kreu i PD.
Nga ana tjetër Basha ka akuzuar qeverinë se e ka rritur borxhin publik në nivelin 72 për qind: “ Kjo qeveri e ka rritur borxhin publik në nivelin 72 për qind. Rritja ekonomike nuk mund të bëhet pa menaxhuar borxhin publik. Taksat janë rritur, zero rritje pagash dhe pensionesh, ndërsa borxhi publik u kthye në një kërcënim real për vendin. Do të marrim masa për të vënë borxhin publik nën kontroll”
Më tej kreu i PD është ndalur edhe te rritja e pagës minimale: “ Paga minimale do të shkojë 32 mijë lekë, këtë do ta bëjë tregu. Nuk besojmë në rritjen e pagave me dekret, pagat rriten nga ekonomia. Synimi ynë është të mbështesim ata në ndihmë ekonomike dhe t’i ndihmojmë ata të integrohen në tregun e punës. Synimi ynë është që të rritim me 33 për qind pensionin minimal” thekoi Basha.
Osman Dedja/ RTVSCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.