Basha në Devoll për programin ekonomik: 100 mln euro direkt për fermerët! Mbështetje për frigoriferë të përbashkët
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e takimeve, duke u ndalur në Devoll për të prezantuar programin ekonomik. Në një komunikim në rrjetet sociale, Basha shkruan se fermerët e Devollit, ishin detyruar të hidhnin tonalata prodhime të tyre edhe këtë vit sepse mungon tregu.
“Kostoja e prodhimeve të tyre është e lartë dhe mbështetja nga shteti zero. Pesticidet që i blejnë dyfish më shumë se në Greqi janë të një cilësie të keqe, çmimi i naftës është më i shtrenjti në rajon dhe grumbullimi e aksesi në treg kontrollohet nga pak duar.
Fermerët më treguan se e shisnin kilen e qershive 500 lekë (të vjetra) aq sa ishte dhe kosto, ndërkohë që në Tiranë e qytete të tjera, të njëjtat qershia shiten me mbi 1500 lekë (të vjetra).Në 7 vjet kjo qeveri është tallur me mundin dhe djersën e shqiptarëve.
U premtoi fermerëve çmim të diferencuar për karburantet në bujqësi, por u rriti taksat dhe e bëri naftën me çmimin më të lartë në Europë. Premtoi se në çdo arë do të kishte ujë për të vaditur, por nuk bëri asnjë investim; fermerët janë detyruar të marrin kredi dhe të investojnë vetë. Qindra milionë euro jep RAMAVIRUSI me tendera korruptive, që përfundojnë gjithmonë në xhepat e 5 oligarkëve, ndërkohë që fermerët vuajnë për rrugë, ujë, energji, karburant, subvencione dhe mbështetje” shkruan Basha.
Në programin ekonomik, Basha shpjegoi se është parashikuar akordimi i së paku 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për fermerët shqiptarë. 50 milionë euro do të investohen çdo vit për infrastrukturën bujqësore ndërsa do të hiqet taksa për naftën që rëndon mbi fermerët.
“Fermerët në Devoll më kërkuan t’i ndihmojmë për ndërtimin e frigoriferëve të përbashkët. Ekspertët tanë do të ulen të shikojnë dhe të bisedojnë me ta, për të parë praktikat më të mira të mbështetjes për këtë infrastrukturë. Ne nuk premtojmë mrekulli, por normalitet.
Me subvencione direkte për fermerët, në bazë të prodhimit, me investime në infrastrukturën rurale dhe me hapjen e aksesit në tregje, ne do të bëjmë gjithçka që prodhimi vendas të jetë i pakonkurreshëm nga eksportet sa u përket kostove, dhe do të mundësojmë eksportin e tyre. Mirëqenia e fermerëve shqiptarë që përbëjnë gjysmën e popullsisë, do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë dhe punësimit e mirëqenies për çdo shqiptar” përfundon Basha.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.