Basha me OSBE/ODIHR – Reforma zgjedhore prioritet i PD-së
Reforma zgjedhore është prioritet për Partinë Demokratike sipas kreut të opozitë Basha. Gjatë takimit me përfaqësues të OSBE/ODIHR kreu i opozitës tha se votimi dhe numërimi elektronik do të eleminojë shumë prej problemeve në procesin zgjedhor.
“Votimi dhe numërimi elektronik është kërkesa dhe kushti parësor i opozitës shqiptare. Votimi dhe numërimi elektronik do të eliminojë shumë prej problemeve. Partia Demokratike kërkon me ngulm një reformë tërësore që jo vetëm të adresojë e të zgjidhë problemet e mëdha të procesit, por edhe të fuqizojë të drejtën e qytetarëve për të vendosur si dhe të kufizojë pushtetin e kryetarëve të partive”, tha Basha.
Kreu i opozitës e ka konsideruar si shumë të rëndësishëm raportin për zgjedhjet e 2017, i cili ka dokumentuar shqetësimet ngritura nga opozita. Basha vlerësoi që këto shqetësime janë tashmë rekomandime prioritare nga OSBE/ODIHR-it. Ai u shpreh se Reforma Zgjedhore është prioritet për Partinë Demokratike dhe është kërkuar të nisë puna menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Kreu i opozitës kërkoi mbështetjen dhe eskpertizën e misionit të OSBE/ODIHR-it për implementimin e rekomandimeve. Reforma Zgjedhore duhet të përballet me shumë prej problematikave të shumta të procesit si lista e zgjedhësve, sistemin e adresave, përdorimin e financimeve dhe individëve me rekorde kriminale, përdorimin e pushtetit, votën e emigrantëve dhe mbi të gjitha shit-blerjen e votës. Basha mori mbështetjen e Ambasadorit Tejler për një bashkëpunim të plotë me OSBE/ODIHR-in, me ekspertët e tyre më të mirë për të asistuar në hartimin e reformës zgjedhore.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.