Basha pas takimit me aleatët: Vendi në emergjencë, diskutuam platformën ekonomike
Pas takimit me aleatët opozitarë, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se janë diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin politik “në të gjitha rrafshet, në raport me njerëzit, me qytetarët, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe që do t’u ofrojmë shqiptarëve”.
Në këtë kuadër, Basha tha se është diskutuar për emergjencën ekonomike, ku ndodhet vendi. “Bashkarisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjidhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë, me fitoren e Opozitës së Bashkuar, e cila tashmë, jo vetëm thjesht përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 qershorit, është konfirmuar si maxhoranca e re politike” tha Basha.
Sa i përket takimit me kreun e shtetit, Basha tha se është diskutuar për zgjedhjet e 13 tetorit që kreu i shtetit i cilëson si një mundësi për daljen nga kriza politike.
“Duke vlerësuar maksimalisht qendrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë në këtë betejë për interesin e njerëzve, që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit, siç e deklaroi dhe OSBE/ODIHR-i, duhet të jenë për njerëzit, dhe jo për ymerlalët dhe shokun e tyre, “Bablokun” e madh dhe oligarkët” tha Basha.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.