Basha reagon ndaj Ramës: Zgjedhje të lira dhe korrigjim të 7 ligjeve sipas opozitës

Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se reforma në drejtësi është kyçe për çeljen e negociatave dhe për thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Kreu i opozitës tha se Partia Demokratike e realizoi detyrën e saj duke i hapur rrugë ndryshimeve kushtetuese, por shtoi se nëse ka vullnet për zgjedhje të lira dhe pas korrigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve konsensuale të opozitës, është i gatshëm të përmbushë detyrimet që rrjedhin ndaj procesit të Vettingut.
“Partia Demokratike do ta votojë dhe do ta çojë përpara reformën në drejtësi por vetëm sipas përcaktimeve europiane të Kushtetutës së Shqipërisë, sipas votës historike të 22 korrikut. Ne do ta hapim këtë rrugë bashkë me qytetarët shqiptarë. Nëse nuk tremben nga drejtësia e pakapur le ti hapin rrugë qeverisë teknike, le të ndryshojmë së bashku 7 ligjet që i bënë përshesh për të kapur drejtësinë dhe ne do të na kenë aty dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do ta zgjidhim çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe çështjen e drejtësisë së vërtetë për qytetarët shqiptarë“, u shpreh Basha.
Deklarata e kreut të PD-së vjen një ditë pas thirrjes që Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, bëri në Tiranë për mospengimin e procesit të Vettingut dhe përcaktimin e rregullave të qarta për transparencën e partive politike në zgjedhje.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.