Basha: Taksa në Rrugën e Kombit, grabitje e dyfishtë e shqiptarëve – Barrierë shtesë me Kosovën
Tarifa e pagesës së detyruar në të dy kalimet e Rrugës së Kombit i shkakton një goditje projektit që u realizuar për të lidhur Shqipërinë me Kosovën. Kështu është shprehur Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në reagimin e tij mbi testimin e tarifave në këtë aks ditën e diel.
Sipas Bashës, PD e ka hedhur e para idenë për aplikimin e tarifave të lehta, por në kushtet kur do të ekzistonin rrugët alternative pa pagesë. Kryedemokrati shtoi se me aplikimin e këtyre tarifave duhet hequr taksa e qarkullimit të automjeteve, për të respektuar parimin e mostaksimit të dyfishtë.
“Kjo ndodh në një kohe kur Edi Rama e ka rritur taksën e qarkullimit të automjeteve me 24 lekë për litër karburant. Rritja me 24 lekë për litër, ju merr shqiptareve plot 120 milionë dollarë në vit nga xhepat e tyre. Mjafton 1/10 e kësaj shume për të mbuluar të gjitha nevojat për shpenzime të mirëmbajtjes, pa vendosur tarifa shtesë. Vetem nga kalimi pa pagesë në rrugën e Kombit Shqipëria ka përfituar direkt dhe indirekt rreth 300-400 milionë euro në vit. Do të mjaftonte një fraksion i këtyre të ardhurave për të përballuar nevojat për mirëmbajtje të të gjithë rrjetit rrugor shqiptar”, tha Basha.
Sipas kreut të opozitës, kjo tarifë do të ndihet si barrë e shtuar fillimisht për qytetarët e Kosovës. Ajoi do të rrisë gjithashtu kostot për shërbimet dhe produktet duke dëmtuar ekonominë e Shqipërisë, qytetarët dhe bizneset.
Ndërkohë, sipas Bashës, Rama nuk ka bërë asgjë për të zgjidhur çështjen e banorëve të zonave rreth Rrugës së Kombit.
A.H./SCAN
Taksa e Rrugës së Kombit, reagon Kosova – Lekaj: S’kemi pasur njoftim. Kërkojmë zbritjen
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.