Bashkë me turistët vijnë dhe sjelljet e pahijshme – Kroatët ankohen për zhurmat dhe nuditetin

Sezoni turistik është në kulmin e tij dhe në një vend si Kroacia, të gjithë vendasit kanë të bëjnë sadopak me të huajt që kalojnë pushimet atje. Turma me turistë u drejtohen brigjeve dhe ishujve, duke derdhur rrugës eurot dhe dollarët e tyre.
Por sjellja e vendasve ndaj turistëve duket se po ndryshon. Kohët e fundit në mediat kroate qarkullojnë artikuj për pakënaqësitë ndaj mënyrës së shfaqjes në publik të të huajve.
Ajo që shqetëson më shumë janë primitivizmi i turistëve, nuditeti, e të qenit të pirë. Ka shumë ankesa të popullsisë lokale për barbarizmat e turistëve si veshja me tanga, urinimi në publik, drogërat dhe zënkat me policinë pas netëve të zhurmshme duke festuar.
Për të adresuar këto probleme, ishulli i Hvarit ka vendosur gjoba të larta për çdo veprim të papëlqyeshëm, dhe ato janë si më poshtë:
Të ecësh në rrugë pa bluzë | 500 Euro |
Klientët pa bluzë | 600 Euro |
Të ngrënit në vende publike | 700 Euro |
Kryetari i Bashkisë u bën thirrje turistëve të kursejnë në këtë mënyrë paratë e tyre dhe të shijojnë ishullin. Ai iu ankua gazetarëve duke u zbuluar se turistët në Hvar shpesh vjellin, urinojnë dhe flenë në zona urbane.
Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga media vendase index.hr, 2 në 3 kroatë i quajnë tërësisht të justifikueshme masat e vendosura. Penalitete të ngjashme aplikojnë edhe qytete si Barcelona, e cila gjobit deri në 1500 euro sjelljet e pahijshme.
Por problemi është i shtrirë në të gjithë vendin, jo vetëm në Hvar, ku turistët tërhiqen veçanërisht edhe nga klubet e natës. Në Novalja, ku paraqitet e njëjta situatë, banorët kanë apeluar në rrjetet sociale që të prezantohen gjoba të ngjashme, por ekziston frika se kjo mund të ketë një efekt negativ në të ardhurat nga turizmi.
E vërtetë që një pjesë e popullsisë nuk fle dot natën prej trazirave që krijohen, por gjithashtu e vërtetë është se një pjesë e mirë përfiton nga turizmi, duke lënë apartamente me qira, nga bizneset turistike, apo nga impakti që turizmi ka në ekonominë e vendit. Duket se ankesat janë të vlefshme, por limiti nuk është tejkaluar nëse në peshore shtohen edhe aspektet pozitive.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.