Bashkëpunim dypalësh mes Akademive të Sigurisë – Prioritet, kontributi i ndërsjellë në fushën e kulturës, arsimit dhe trajnimeve

Akademia e Sigurisë së Shqipërisë dhe Akademia e Policisë së Malit të Zi kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që synon vendosjen e bazave të duhura në disiplina të përbashkëta midis dy palëve.
Marrëveshja u firmos në Akademinë e Policisë në Mal të zi nga Drejtori i Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë Bilbil Memaj dhe nga Drejtori i Akademisë së Policisë së Malit të Zi, M.Sc.Boban Šaranović.
Përmes saj synohet rritja e kontributit të ndërsjellë në zhvillimet kulturore, arsimore si dhe kërkimore midis dy vende. Mbështetja e objektivave strategjike në fushën e trajnimeve, studimeve, hulumtimeve, zhvillimit dhe në marrëdhëniet me publikun është edhe qëllimi i këtij bashkëpunimi. Përmes tij do të bëhet i mundur shkëmbimi i informacioneve të ndryshme, këshillimi dhe trajnimi i personelit akademik.
Ndërkohë, po ashtu ata do të kenë mundësi trajnimi, studimi në fushën e sigurisë publikë si dhe në zbatimin e platformave të reja elektronike. Në fazën e parë të kësaj marrëveshje, do të bëhet identifikimi i fushave të përbashkëta të interesit, shkëmbimit të informacionit të nevojshëm mbi hulumtimet duke u pasuar nga vizita delegacionesh të përbashkëta.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi është e gjashta e këtij lloji me institucione ndërkombëtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.