Bashkëpunim me Francën, Veliaj me homologun e Metz: Projekte të përbashkëta
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka pritur në një takim homologun e Bashkisë së Metzit, Dominique Gros të cilët diskutuan rreth mundësisë së bashkëpunimit mes dy qyteteve në projekte të përbashkëta, veçanërisht në çështjet e mjedisit, kulturës dhe të teknologjisë së avancuar, në dhënien dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Kryebashkiaku Veliaj e informoi homologun Dominique Gros me projektet e mëdha të Tiranës, ndërkohë që Gros vlerësoi se Tirana është një qytet evropian që aspiron drejt Evropës dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Francën.
“Tirana është një qytet që po zhvillohet dita-ditës dhe kjo duket qartë, duke qenë se edhe popullsia është pesëfishuar gjatë këtyre viteve, që nga fundi i periudhës komuniste. Vërej se Tirana është një qytet evropian, që aspiron drejt Evropës dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Francën, ashtu siç kanë ekzistuar edhe në të kaluarën këto marrëdhënie kulturore. Unë jam duke i konstatuar të gjitha këto. Ambasada është e pranishme, anëtarët e parlamentit që bëjnë pjesë në këtë delegacion e kuptojnë fare mirë”, theksoi Gros.
Pjesë e vizitës së kryebashkiakut Gros në Tiranë ishin edhe një grup deputetësh nga Parlamenti francez, në përmbushje të një vizite zyrtare që ata po kryejnë në vendin tonë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.