Bashkëpunimi ekonomik rajonal – Ahmetaj: Reformat e ndërmarra, siguri për investitorët

Shqipëria është një treg me potencial për sipërmarrësit sllovenë, veçanërisht në fushat e mjedisit, turizmit dhe bujqësisë dhe agropërpunim, por edhe IT. Kështu u shpreh Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë një forumi biznesi mes dy vendeve, të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranes. Sipas tij, biznesi shqiptar dhe ai slloven duhet pritet të thellojnë bashkëpunimin mes tyre në fushën e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Ministri Ahmetaj, pasi bëri një ekspoze të ekonomisë shqiptare, i njohu sipërmarrësit sllovenë me reformat e ndërmarra nga qeveria, si në fushën administrative, ligjore dhe fiskale.
“Ne po marrim iniciativa të detajuara për të lehtësuar tregtinë në rajon me Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë. Vendimmarrje unilaterale për të njohur standardet fitosanitare për shembull, janë gjithë barrierat jotarifore, një set i tërë i tyre, për t’u njohur në mënyrë unilaterale nga ana e jonë kundrejt partnerëve tanë tregtarë në rajon”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë së Sllovenisë, Zdravko Pocivlsek, vlerësoi rëndësinë që ka zhvillimi ekonomik në integrimin e çdo vendi dhe të rajonit.
“Synojmë të thellojmë bashkëpunimin mes dy vendeve tona që deri më tani ka qenë modest. Ka patur një bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit, por integrimi në Bashkimin Europian është mjaft i rëndësishëm për të krijuar mundësi më të madhe ekonomike. Duhet të ecim përpara në tregun ekonomik. Këto vende duhet të ecin përpara për të rritur ekonomitë, të hapin tregjet dhe të rrisin konkurrueshmërinë. Ka shumë mundësi për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve në sektorë të ndryshëm, por kjo bëhet duke njohur njëri-tjetrin më mirë”, tha Pocivlsek.
Gjatë këtij forumi gjithashtu u bë një prezantim i mundësive dhe sektorëve për të investuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e AIDA, Brisida Shehaj. Rreth 30 kompani sllovene kanë marrë pjesë në forumin e biznesit, ku më pas kanë zhvilluar takime B2B me sipërmarrjet shqiptare. Aktualisht në vendin tonë zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik rreth 60 kompani sllovene apo me kapital të përbashkët shqiptaro-slloven në aktivitetet e turizmit, tregtisë, asistencës teknike.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.