Bashkëpunimi Tiranë – Shkup – Veliaj: Në 2018 kalendar aktivitetesh, shkëmbejmë eksperiencat

Tirana dhe Shkupi angazhohen të çojnë në një nivel të ri marrëdhëniet e bashkëpunimit mes tyre.
Një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit, Bashkia e Tiranës dhe Bashkia e Shkupit kanë vendosur që t’i japin një tjetër impuls bashkëpunimit mes tyre në të mirë të qytetarëve të tyre. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim të veçantë homologun e tij, kryetarin e Bashkisë së Shkupit.
Veliaj bëri të të ditur se ekzistojnë shumë fusha ku të dyja bashkitë mund të kenë bashkëpunime konkrete, ndërsa njoftoi se po punohet edhe për të pasur një kalendar konkret aktivitetesh.
“Mezi pres që për 2018-ën të kemi një kalendar të përbashkët mes Tiranës dhe Shkupit për shumë prej këtyre aktiviteteve. Vitin tjetër do të vizitoj Shkupin në një vizitë zyrtare dhe mezi pres, që ashtu siç tha Petre, të kemi mundësi që të mësojmë nga njëri-tjetri. Ndonjëherë nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Nëse diçka është bërë më mirë në Shkup, duhet ta bëjmë ne në Tiranë dhe anasjelltas, çfarë është bërë mirë në Tiranë, mund ta japim në Shkup, në Prishtinë apo dhe në qytete të tjera”, theksoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe u shpreh se mes dy bashkive ekziston vullneti dhe dëshira për të çuar përpara bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave në të mirë të jetës së qytetarëve.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.