Bashkia aksion ndaj karburanteve – Do të bllokohet çdo subjekt që nuk ka licencën përkatëse
Së shpejti nis aksioni i Bashkisë së Tiranës për bllokimin e të gjitha pikave të karburanteve që ushtrojnë aktivitetin pa licencën përkatëse.
Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se do të merren masa ndaj të gjithë subjekteve që kryejnë veprimtarinë e tyre pa u pajisur me licencat përkatëse për ushtrimin e aktivitetit në fushën e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm, të naftës, për automjetet, vajrave lubrifikante dhe lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë.
Aktualisht në qytetin e Tiranës e ushtrojnë këtë aktivitet 173 subjekte, nga të cilët vetëm 3 prej tyre kane aplikuar për t’u pajisur me licencë dhe dokumentacioni i tyre ka rezultuar i paplotë.
Në kushtet kur këto subjekte nuk pajisen me licencën përkatëse, ose kur ushtrimin e aktivitetit të tyre e kryejnë në rrugë kryesore urbane, duke formuar xhepa për makinat, në kundërshtim me ligjin dhe pa lejet përkatëse, do të jenë objekt i bllokimit të menjëhershëm nga ana e Bashkisë së Tiranës.
Ky bllokim do të bëhet për subjektet deri në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës dhe shlyerjen e detyrimeve të taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.