Bashkia e Tiranës, tender për sistemin e taksave – Ndjekje efektive e detyrimeve të prapambetura dhe arkëtim në kohë më të shkurtër

Brenda verës së vitit të ardhshëm, Bashkia e Tiranës synon të ketë shtuar një sistem të ri për monitorimin e detyrimeve të prapambetura të taksave vendore.
Për shkak se Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore haset në mënyrë të vazhdueshme me raste te mospagimit të taksave dhe detyrimeve që subjekte të ndryshme kanë kundrejt saj, kjo sjell një efekt negativ në të ardhurat e bashkisë.
Sistemi i ri pritet të sjellë në një platformë të vetme të gjithë informacionin e marrë nga subjektet me nivelet e ndryshme të detyrimeve të mbetura dhe mundësisë së pagesave, duke minimizuar daljen e inspektorëve në terren.
Bashkia e Tiranës ka caktuar një fond prej 45.5 milionë lekësh për ngritjen e këtij sistemi. Programi kompjuterik pritet të bëhet operativ brenda 8 muajve pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa prokurimi përfshin edhe mirëmbajtjen e këtij sistemi për 4 vjet.
Një risi tjetër që do të sjellë sistemi i ri është edhe krijimi i mundësisë së komunikimit online me debitorët, duke iu ofruar disa alternativa apo lehtësime në mënyrën e kryerjes së pagesave.
Nga të dhënat e Ministrisë së Financave, të ardhurat nga Pushteti Vendor janë realizuar në masën 4.5% mbi pritshmëritë, megjithatë vihet re një vështirësi e madhe e bashkive në mbledhjen e taksave specifike si ajo mbi biznesin e vogël dhe taksa mbi ndërtesat.
Financimi për sistemin e ri të monitorimit të detyrimeve do të bëhet pjesërisht nga Bashkia (8 milionë lekë), ndërsa pjesa më e madhe (37.5 milionë lekë) alokohen nga buxheti i Fondit për Zhvillimin e Rajoneve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.