Bashkia Kamëz i kërkon qeverisë qendrore kompetencat për pyjet dhe rrugët rurale
Bashkia e Kamzës i kërkon qeverisë që t’i kalojë kompetencat që i përkasin në kuadër të Reformës Administrative-Territoriale për pyjet dhe rrugët rurale. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, bashkia evidenton se në vitin 2015, me miratimin e reformës administrativo-territoriale, ku iu bashkëngjit ish – Komuna Paskuqan, një ndër pikat e reformës ishte dhe kalimi i 7- kompetencave të cilat duhej të delegoheshin nga qeverisja qendrore drejt Njësive të Qeverisjes Lokale.
“Ende sot, kompetencat nuk i janë kaluar Bashkisë Kamëz. Ndër 7 kompetencat që duhej t’i kalonin Bashkisë Kamëz nga qeveria qendrore që nga viti 2015 janë; administrimi i pyjeve dhe rrugëve rurale” deklaron kryebashkiaku Xhelal Mziu. Sipas kreut të bashkisë Kamëz, një kompetencë që i është kaluar Njësive të Qeverisjes Vendore (por jo bashkisë Kamëz), është administrimi i fondit pyjor dhe kullosor.
“Deri në fund të muajit qershor 2016,(VKM nr. 433, datë 08.06.2016) nuk ka patur asnjë akt normativ apo ligjor për administrimin e pyjeve. Kjo VKM është miratuar pa patur bashkëngjitur hartat përkatëse të ndarjes së territoreve ndërmjet Bashkisë Kamëz dhe asaj të Tiranës dhe për rrjedhojë Bashkisë Kamëz i janë transferuar sipërfaqe pyjesh dhe kullotash të cilat nuk janë në territorin e saj, ndërsa Bashkisë së Tiranës i janë dhënë sipërfaqe pyjesh dhe kullotash që janë në territorin e Bashkisë Kamëz. Jo vetëm kaq por Bashkisë Kamëz nuk i është dhënë fondi për administrimin e pyjeve dhe kullotave transfertë që duhej të jepej nga Qeveria Qendrore dhe as personel mbështetës”- thotë kryebashkiaku. Ai shton se në Bashkinë Kamëz ka një numër të konsiderueshëm rrugësh rurale, ku kërkohet ndërhyrja për mirëmbajtjen e tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.