Bashkia Kamëz mbush 22 vjeç – 4 ish-kryebashkiakët shpallen qytetarë nderi
Ditën e hënë, Bashkia e Kamzës ka festuar 22 vjetorin me një ceremoni festive, të nisur që më 29 prill me koncertin e shkollave te Pallati i Kulturës, Kampionatin e Karatesë, Paradën e festivalistëve dhe atë Multikulturor, festë e cila ka kulmuar sot me një ceremoni zyrtare.
Të ftuar në event, 4 ish-kryebashkiakët e qytetit Pëllumb Lepi, Rrushdi Keçi, Fran Gjinim dhe Agim Cani u shpallen “Qytetar Nderi” të Kamzës.
Në këtë ceremoni kanë marrë titullin “Mirënjohja e Qytetit” Rexhep Uka ish ministër Bujqësie dhe zv/kryeministër, Shaban Uka volejbollistë, Sejdin Çela kampionë në 10 garësh në atletikë, artistët e skenës; Ema Qazimi dhe Besim Zekthi dhe dhjetëra personalitet të tjera në mjaft fusha që kanë dhënë një kontribut të çmuar për Kamzën ndër vite.
“Unë ndihem shumë krenar dhe i gëzuar që kam drejtuar Bashkinë e Kamzës, si një qytetar i viteve `90. Besoj që Kamza ka pozicionin më të mirë gjeografik në Shqipëri dhe pozicioni i saj, mikpritja e këtyre qytetarëve të mrekullueshëm të Kamzës, të Valiasit, të Laknasit dhe të Babrroit bëri që të gërshetohet jo vetëm pozicioni gjeografik, por edhe mikpritja për ta kthyer nga një zonë bujqësore e rurale në një qytet, madje në qytetin më të ri të Shqipërisë, pse jo, edhe më gjerë dhe sot Kamza nuk është më si dje, jo vetëm për shkak të numrit të popullsisë, nga e cila është e gjashta në Shqipëri, por edhe për shkak të zhvillimit të vrullshëm të saj. Dhe ky zhvillim i vrullshëm i qytetit ka vetëm një autor: qytetarët e saj. Qytetarët e Kamzës janë mbi mesataren e Shqipërisë. Janë njerëz, të cilët përmes vuajtjes, ambicies, imigrimit të brendshëm e të jashtëm bënë që të harrohej Kamza bujqësore e të kthehej në qytet”, u shpreh në fjalën e tij, kryebashkiaku Xhelal Mziu.
Ceremonia e sotme ka nisur që herët në mëngjes me përfaqësues të parlamentit Rinor të cilët ishin të pranishëm në sallën e Këshillit Bashkiak në një aktivitet me këtë rast dhe ka vijuar më pas me hapjen e ceremonisë zyrtare nga kryetari Xhelal Mziu me pas e shoqëruar më lëvizjen e bandës frymore në qytet si dhe lëvizjen prezantuese te pedonalja për të vijuar më pas me finalizimin e ceremonisë zyrtare në pallatin e Kulturës.
Më 30 prill 1996, me një vendim të Këshillit të Ministrave, Kamza ndryshon emërtimin nga komunë në bashki. Ky moment shënon edhe krijimin e institucionit Bashkia Kamëz.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.