Bashkia propozon rritjen e çmimit të ujit – Ja tarifat e reja për familjet dhe biznesin
Bashkia e Tiranës ka nxjerrë një vendim, që i propozon Këshillit Bashkiak rritjen e tarifave për furnizimin me ujë në Tiranë. Sipas gazetës Panorama, e cila zbardhi vendimin, çmimi i ujit do të rritet nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset.
Kjo rritje do të pasqyrohet edhe tek tarifa fikse mujore për familjarët, e cila do të dyfishohet në 200 lëkë në muaj.
Sipas Panorama, relacioni e arsyeton këtë rritje çmimesh me investimet që duhen ndërmarrë për të zgjeruar shtrirjen e furnizimit dhe sigurimin e ujit 24 orë.
“Mbulimi është 85% (Tirana e madhe) ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT”.
Analiza e kërkesës për ujë ka parashikuar ndryshimin në nivelin e prodhimit të ujit deri në vitin 2021. “Prodhimi aktual është 106 milionë/m3 dhe deri në vitin 2021 parashikohet të shkojë në 62 milionë/m3 që ndryshe përkthehet ulje prej 42 %.
Në relacion përmendet edhe rritja e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në zonën e re e cila do të mbulohet nga UKT në 97% për familjarët dhe 100 për bizneset private.
Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e mërkurë për të diskutuar këtë propozim. Rritja ndërkohë, nuk prek tarifën për ujërat e ndotura.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.