Bashkim mes bankave spanjolle. Caixabank dhe Bankia pritet të krijojnë huadhënësin më të madh vendas
Bankat spanjolle “Bankia” dhe “Caixabank” po konsiderojnë një bashkim, ç’ka do të krijonte huadhënësin më të madh në Spanjë, me mbi 650 miliardë euro aktive totale, sipas deklaratës së vetë bankave. Caixabank po diskuton për një shkrirje që përfshin vetëm aksione, bëri të ditur banka në një deklaratë ndaj bursës, ndërkohë që huadhënësi tjetër konfirmoi bisedimet.
Numri i huadhënësve në Spanjë është tkurrur me ¾-at që prej krizës financiare të vitit 2008 dhe pandemia e Covid-19 po shkakton presione të mëtejshme tek bankat për t’u bashkuar, ndërkohë që po krijojnë provigjone të kushtueshme për t’i bërë ballë krizës. Interesat e ulëta në Eurozonë kanë rënduar gjithashtu situatën tek bankat europiane dhe rregullatorët i kanë bërë thirrje huadhënësve që të konsolidohen, për të reduktuar kostot.
Pavarësisht se Santander dhe BBVA janë bankat më të mëdha për shkak të operacioneve jashtë vendit, një bashkim mes Caixabank dhe Bankia do të krijonte lojtarin më të fortë brenda Spanjës. Bankia, ku shteti spanjoll mban 60% të pronësisë, bëri të ditur se ka qenë në kontakt me Caixabank për të vlerësuar mundësinë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.