Bashkimet mes bankave – Ekspertët: Forcojnë sistemin bankar

Sistemi bankar shqiptar ndodhet në një proces përqendrimi, përmes bashkimit përmes përthithjes së disa prej bankave ekzistuese. Ekspertët mendojnë se ky përqendrim do ta forcojë më shumë sistemin bankar dhe potencialisht mund të ketë efekte pozitive në gjallërimin e konkurrencës.
Elvin Meka, ekspert i sistemit financiar, shprehet për TV SCAN se bankat më të mëdha që do të dalin nga bashkimet do të jenë më të forta dhe më aktive. Sipas tij, këto banka do të kenë më shumë oreks për t’u rritur dhe për të marrë përsipër rrezik. Kjo do të sjellë rritje të ofertës për kredi, në veçanti në segmentin e kreisë për biznesin, ku rreziku është më i lartë dhe ku bankat më të vogla e kanë vështirë të fitojnë akses.
“Sigurisht që duke pasur banka më të mëdha në sistem, aspekti i parë më i mirë, ose le të themi në një hap më i mirë cilësor, është që do të shikojmë që bankat do të fillojnë të marrin përsipër riskun më shumë, pasi supozohet gjithmonë që një bankë e madhe ka më shumë kapacitete, mundësi dhe është më e mirë kapitalizuar se sa një bankë e vogël, e cila për të qenë në treg i duhet të përpiqet më shumë se sa një bankë e madhe”, shprehet Meka.
Zoti Meka mendon se forcimi i bankave lokale gjatë viteve të fundit është një maturim cilësor për sistemin bankar. Ndonëse largimi i disa prej grupeve të mëdha bankare të Eurozonës mund të mos jetë pozitiv për imazhin, sipas tij e rëndësishme është që në treg të ketë aktorë dinamikë dhe të përkushtuar për t’u rritur.
“Kemi arritur ndoshta në një stad cilësor maturimi le të themi të sistemi bankar dhe të operatorëve shqiptarë, të cilët janë në gjendje plotësisht të sipërmarrin më shumë risk në treg dhe të bëhen lojtarë më të mëdhenj në këtë treg që çdo vit ka njohur rritje dhe zgjerim pavarësisht faktit të efekteve të krizës, e kështu me radhë”, shtoi eksperti financiar.
Ekspertët mendojnë se nuk duhet përjashtuar një përqendrim i mëtejshëm i sistemit bankar gjatë 2-3 viteve të ardhshme. Për bankat me përmasa të vogla do të jetë e vështirë sigurimi i një eficience dhe konkurrueshmërie të mjaftueshme, çka mund t’i shtyjë aksionerët drejt shitjes apo bashkimit me banka të tjera. Sistemi bankar kërkon investime të konsiderueshme dhe sidomos në epokën e tanishme një rol gjithnjë e në rritje e ka teknologjia. Për bankat e vogla, investimi në novacion teknologjik është i vështirë, ndaj ky mund të jetë një faktor më shumë që do t’i shtyjë ato drejt shitjeve apo bashkimeve.
Procesi i përqendrimit të sistemit bankar shqiptar mund ka nisur tashmë, pasi grupi “Intesa Sanpaolo” vendosi të blejë një pjesë të aktiveve të grupit “Veneto Banca”, mes të cilave përfshihet edhe filiali i grupit në Shqipëri. Kjo do të bëjë që numri i bankave në tregun shqiptar të zbresë në 15, nga 16 që janë aktualisht.
Në një fazë të avancuar është procesi i shitjes së filialit të NBG Bank në Shqipëri. Grupi grek ka marrë vendimin për t’u larguar nga tregjet e rajonit dhe për forcuar aktivitetin e vet në Greqi. Pas shitjes së filialit në Rumani gjatë verës, shitja e radhës do të jetë banka në Shqipëri. Blerësit më të interesuara për blerjen e NBG Shqipëri janë dy nga bankat ekzistuese në treg, Fibank dhe ABI Bank, që kanë paraqitur oferta te grupi bankar grek.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.