Bashkimi Europian dhe Japonia arrijnë marrëveshjen për tregtinë e lirë

BE dhe Japonia kanë arritur zyrtarisht një mirëkuptim për pikat e marrëveshjes së tregtisë së lirë, e cila i hap rrugën tregtisë së mallrave pa barriera tarifore mes dy prej ekonomive më të mëdha të botës.
Bashkimi Europian e konsideron këtë si marrëveshjen tregtare bilaterale më të rëndësishme të arritur ndonjëherë, pasi përfitimet për të dy palët do të jenë të konsiderueshme, si për Japoninë që kërkon të fusë automjetet e saj në Europë, ashtu edhe për këtë të fundit që kërkon të eksportojë prodhime bujqësore në Japoni.
“Së bashku, ne po i dërgojmë një mesazh të fortë botës se jemi për tregti të lirë dhe të ndershme. Për sa na takon ne, nuk ka mbrojtje në proteksionizëm. Vetëm duke punuar së bashku do të mund të vendosim standarde globale. Ky do të jetë mesazhi që BE dhe Japonia do t’i dërgojnë G20-ës nesër”, u shpreh Presidenti i Komisionit Europian, Juncker.
Vlera e eksporteve të mallrave nga BE drejt Japonisë arrin në 58 miliardë euro, ndërsa ajo e shërbimeve arrin në 28 miliardë euro. Rreth 600 mijë vende pune janë të lidhura me eksportet e BE drejt Japonisë, ndërsa kompanitë japoneze në BE punësojnë rreth 550 mijë njerëz.
Marrëveshja synon të rrisë eksportet nga 16-24% drejt Japonisë, veçanërisht ato të ushqimeve të përpunuar me rreth 170%. Kjo e fundit do të sillte 10 miliardë euro shtesë në eksporte.
Sektorët e tjerë që do të përfitojnë nga marrëveshja janë eksporti i lëndëve kimike me 22% ose 3 miliardë euro shtesë dhe eksporti i makinerive elektrike me 16% ose 650 milionë euro.
Japonia është partneri i 6-të më i rëndësishëm tregtar për BE-në dhe eksportuesit europianë paguajnë rreth 1 miliardë euro në tarifa doganore në vit. Kjo marrëveshje do të eliminojë shumicën e këtyre detyrimeve, si ato për produktet e djathrave, verërave, si edhe do të ulë tarifat për produkte të tjera si mishi i lopës dhe derrit.
Përfitimi më i madh do të jetë për ndërmarrjet e vogla, të cilat preken jo proporcionalisht edhe nga barrierat më të vogla.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.