Bashkimi Europian investon 1.3 miliardë euro për infrastrukturën në Greqi

Mbi 1.3 miliardë euro do të investohen nga fondet e politikës së kohezionit në dhjetë projekte transporti, internet dhe mjedisi në Greqi.
Ky financim pritet të lejojë që disa projekte kyçe të nisura në periudhën 2007-2013 të përfundojnë deri në vitin 2020, për përfitimin direkt të ekonomisë së vendit dhe të njerëzve.
Pjesa më e madhe e kësaj shume, 730 milionë euro, do të përdoren për zgjerimin e metrosë në Selanik. Metroja e cila pritet të përfundojë në vitin 2020 do të ketë 247 mijë pasagjerë ditorë, çka do të reduktojë trafikun në qytet dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit.
Segmentet kryesore të veriut të Greqisë do të përfitojnë gjithashtu nga fondet e Bashkimit Europian. 64 milionë euro do të përdoren për përmirësimin e autostradës Egnatia, rrugës Pire-Athinë-Selanik-Evzoni si dhe korridorit TEN-T.
50 milionë euro do të shkojnë për hekurudhën që lidh Athinë me Patrasin dhe kalon nga porti i Patras, Pireut dhe nga Aeroporti i Athinës.
Pjesa tjetër e fondeve do të shkojë për shtimin e linjave të metrosë në Athinë si dhe në shtrirjen e internetit broadband në zonat rurale dhe të largëta të Greqisë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.