Bashkimi i Ministrisë së Financave me Ekonominë, si do të riorganizohet dikasteri
Struktura e re e qeverisë parashikon shkrirjen në një të vetme të Ministrisë së Financave dhe asaj të Zhvillimit Ekonomik. në mbledhjen e parë zyrtare të qeverisë është miratuar edhe vendimi që përcakton misionin dhe fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Referuar vendimit, “misioni i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është arritja e stabilitetit ekonomik nëpërmjet drejtimit me efektshmëri, efektivitet dhe transparencë të financave publike”. Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të përgatisë dhe zbatojë politikat e qeverisë në sferën ekonomike, për bashkërendimin e ndihmës së huaj, të tregtisë, strehimit dhe të sipërmarrjes për ndërtimin e një modeli të ri ekonomik, me synim rritjen ekonomike, të lartë e të qëndrueshme në Shqipëri. Kjo ministri harton dhe zbaton politika të integruara ekonomike në sektorët parësorë të ekonomisë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ushtron veprimtarinë në këto fusha përgjegjësie shtetërore në përputhje me legjislacionin përkatës:
-Politikën makroekonomike dhe fiskale
-Administrimin e të ardhurave
-Administrimin e buxhetit të shtetit
-Menaxhimin e borxhit publik
-Administrimin financiar
-Menaxhimin financiar dhe kontrollin
-Menaxhimin e asistencës financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkërendimin e ndihmës së huaj
-Inspektimin financiar publik
-Bashkërendimin e përgjithshëm të auditimit të brendshëm
-Fushën e strehimit
-Fushën e punësimit
– Fushën e arsimit dhe formimit profesional
– Administrimin e fondit të sigurimeve shoqërore
-Marrëveshjet e tregtisë së lirë
-Fushën e mbrojtjes së sipërmarrjes dhe biznesit vendas
-Nxitjen e investimeve të huaja
-Administrimin e pronës shtetërore
-Mbështetjen e partneritetit publik privat
-Fushën e regjistrimit dhe licencimit të operatorëve ekonomikë
-Fushën e shërbimit të akreditimit dhe standardizimit
-Fushën e mirëmbajtjes, kalibrimit dhe inspektimit të mjeteve matëse
-Fushën e pronësisë industriale
-Fushën e mbrojtjes së pronësisë intelektuale
-Fushën e mbrojtjes së konsumatorëve
Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, për realizimin e fushës së përgjegjësisë është përgjegjëse për:
-hartimin dhe zbatimin e politikave fiskale, në të cilat përfshihen analizat makroekonomike, parashikimi i të ardhurave, politika e shpenzimeve publike, politika e taksave, politika e borxhit publik
-mbikëqyrjen dhe ndërmarrjen e nismave dhe hapave ligjorë, me qëllim administrimin e të ardhurave, në të cilat përfshihen, kryesisht, administrimi i taksave dhe administrimi doganor
-hartimin e politikave për miradministrimin e buxhetit, në të cilat përfshihen planifikimi dhe zbatimi i buxhetit, kontrolli i menaxhimit të investimeve publike, monitorimi i marrëdhënieve financiare ndërqeveritare, kontrolli financiar i transaksioneve publike dhe hartimi i pasqyrave financiare të konsoliduara të qeverisë
-menaxhimin e borxhit publik, në të cilin përfshihen menaxhimi i portofolit të huamarrjes së brendshme dhe të huaj, menaxhimi i riskut të huamarrjes, si dhe shërbimi i regjistrimit të borxhit
-ngritjen e një sistemi modern të menaxhimit financiar dhe kontrollit në të gjitha njësitë e sektorit publik, nëpërmjet vendosjes së rregullave, standardeve, procedurave dhe monitorimit të zbatimit të tyre
-miradministrimin financiar të fondeve publike, i cili realizohet nëpërmjet ushtrimit të funksionit të thesarit, zbatimit të metodologjisë së kontabilitetit në sektorin publik dhe kontrollit të brendshëm financiar publik
-menaxhimin e ndihmës financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkërendimin e ndihmës së huaj. Në funksion të këtij mirëmenaxhimi është sigurimi i bashkëfinancimit si dhe ndjekja e zbatimit të kontratave. Ministria e Financave dhe e Ekonomisë është përgjegjëse edhe për legjitimitetin dhe rregullsinë e transaksioneve të ekzekutuara brenda sistemit të menaxhimit të decentralizuar, si dhe për funksionimin e efektshëm të sistemeve të menaxhimit të kontrollit në kuadër të zbatimit të Instrumentit të Parazgjerimit (IPA)
-inspektimin financiar publik, si funksion i parashikuar me qëllim:
a) mbrojtjen e interesave financiarë të njësive publike kundrejt keqmenaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit dhe korrupsionit
b) rregullshmërinë e transaksioneve e të veprimtarive të tjera të menaxhimit financiar publik
c) përcaktimin e shkeljeve të akteve normative, si dhe dyshimeve për mashtrimet e kryera
ç) zbulimin e parregullsive e të dëmeve të shkaktuara në pronën e njësive publike
d) identifikimin e shkeljeve e të individëve përgjegjës për parregullsitë e zbuluara
-zhvillimin e politikave shtetërore në fushën e punësimit, në fushën e emigracionit dhe imigracionit të punës;
-zhvillimin e politikave shtetërore për arsimin dhe formimin profesional;
-zhvillimin e politikave në fushën e marrëdhënieve të punës, inspektimit, sigurisë dhe shëndetit në punë;
-zhvillimin e politikave dhe monitorimin e politikave, të legjislacionit e të veprimtarive që kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore, si dhe procesin e bashkërendimit të punës për skemat e mbrojtjes shoqërore me vendet e tjera;
-bashkërendimin institucional të procesit të negociimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë me vendet e rajonit dhe më gjerë;
-hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike për mbrojtjen e biznesit vendas nga praktika të pandershme të tregtisë ndërkombëtare;
-bashkërendimin e programimit, vlerësimit dhe monitorimit të investimeve të huaja, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit;
-ushtrimin e të drejtave që rrjedhin nga të qenit pronar i pronës shtetërore;
– krijimin e një klime dhe mjedisi legjislativo-institucional mbështetës për sipërmarrjen, nëpërmjet nxitjes së biznesit dhe liberalizimit të tregut, duke reduktuar pengesat administrative dhe kostot e biznesit për eliminimin e informalitetit dhe korrupsionit, duke u mbështetur në partneritetin e vazhdueshëm publik-privat;
-zhvillimin e politikave në favor të biznesit të vogël dhe të mesëm në përputhje me politikën përkatëse evropiane në bashkëpunim me dhomat e tregtisë, shoqatat e biznesit dhe shoqërinë civile;
-ofrimin e shërbimit të regjistrimit dhe licencimit të operatorëve ekonomikë që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë;
-ofrimin e shërbimit të akreditimit për organizmat e vlerësimit të konformitetit;
-përshtatjen e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare dhe ndërgjegjësimin e komunitetit të biznesit për përfitimet nga zbatimi i standardeve teknike në produktet dhe shërbimet e tyre;
-zhvillimin dhe mirëmbajtjen e etalonëve kombëtarë të njësive të matjes;
-kalibrimin dhe verifikimin e mjeteve matëse;
-realizimin e inspektimit metrologjik;
-propozimin e masave ligjore në fushën e pronësisë industriale;
-regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale (patentat e shpikjeve, marka, dizenjo industriale dhe tregues gjeografikë);
-mbrojtjen e pronësisë intelektuale;
-mbikëqyrjen dhe bashkërendimin e punës për politikat dhe veprimtaritë e institucioneve të infrastrukturës së cilësisë (standardizimi, akreditimi dhe metrologjia);
-mbikëqyrjen efektive të tregut për të garantuar përputhshmërinë e produkteve të konsumatorëve me kërkesat ligjore në lidhje me to, me qëllim që të mos rrezikohen: shëndeti, siguria ose aspekte të tjera të mbrojtjes së interesit publik;
-bashkërendimin e punës për harmonizimin e legjislacionit në fushën e ofrimit të shërbimeve dhe zbatimit të plotë të parimit të trajtimit kombëtar dhe mosdiskriminimit.
Po ashtu, vendimi përcakton se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është institucioni i vetëm që bën bashkërendimin e përgjithshëm të veprimtarisë së auditimit të brendshëm nëpërmjet hartimit dhe miratimit të politikave, manualeve, metodave, procedurave, udhëzimeve dhe rregulloreve të auditit të brendshëm.
Kjo ministri do të ketë rol të përgjithshëm këshillues në interes të politikave qeveritare për promovimin e efektshmërisë, performancës së lartë dhe mirëqeverisjes financiare në të gjithë sektorin publik dhe në ato institucione financiare në të cilat qeveria merr pjesë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.