Bashkimi Tatime – Dogana, Bregasi: Do të shkurtojë procedurat për biznesin
Lehtësimi i procedurave për biznesin është një ndër nismat kryesore të qeverisë së re. Një ndër këto lehtësi pritet të jetë bashkimi i administratës tatimore me doganat në një agjenci të vetme, atë të të ardhurave.
Presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi e vlerëson këtë nismë si një “dritare” e vetme për biznesin, të cilit do t’i shkurtohen shumë procedura dhe do t’i ulet koha e veprimeve më administratën fiskale.
“Kjo kërkon një sistem administrimi shumë të mirë. Në rast se bashkohen tatimet dhe doganat nuk do të kontrollojnë dhe administrojmë më njerëzit, d.m.th tatimorët apo doganorët. Do futen në funksion sistemet. Në rast se shteti dhe qeveria i kanë mundësitë të bëjnë projekte për përmirësimin e sistemeve të administrimit është shumë i mirëpritur. Ne do lehtësohemi më shumë sepse ne këtë duam të mos na vijë tatimori tek dera, por të na vijë kompjuteri te dera. Nga pikëpamja e administrimit, në këndvështrimin tim si sipërmarrës, mendoj që është një konfrontim shumë pozitiv që ndihmon edhe sistemin tatimor dhe doganor, por mendoj që rrit edhe konkurrueshmërinë e kompanive private në treg, pra nuk të lë që ndryshe të sillesh në doganë dhe ndryshe të sillesh në tregun e brendshëm. Do të thotë që tashmë ti je lehtësisht i kontrollueshëm. Sistemi doganor konfrontohet me sistemin tatimor dhe bëhet më i kontrollueshëm subjekti, në këtë rast kompania private”, shprehet Bregasi.
Edhe gjatë mandatit të parë qeverisës, u ndërmorën një sërë lehtësish proceduriale për sipërmarrjen. Ndërkohë që për të krijuar një klimë më të favorshme për biznesin tashmë është krijuar një Ministri e re vetëm për mbrojtjen e sipërmarrjes.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.