Bashkimi tatime-dogana, Rafuna: Fillimisht do jetë departamenti i analizës së riskut

Një ndër premtimet e bëra nga kryeministri Rama kur erdhi në qeverisje ishte bashkimi i administratës tatimore me atë doganore.
Kjo si një masë për uljen e kontrolleve ndaj bizneseve si dhe shkurtim të procedurave ndaj sipërmarrjes.
Këshilltari i kryeministrit për Tatimet dhe Doganat, Lulzim Rafuna, u shpreh gjatë nj interviste në TV SCAN, se tashmë ky proces ka nisur me shkëmbimin e informacionit, por që së shpejti do të bashkohen me departamente që thuajse kanë të njëjtin qëllim.
Kështu sipas tij, departamenti i parë që pritet të unifikohet do të jetë ai i analizës së riskut.
“Ne kemi filluar përgatitjet sa i përket edhe bashkimit, ky është hapi parë, për arsye se ne kemi përgatitur një program të reformave të tëra duke pasur parasysh rëndësinë dhe ndjeshmërinë e procesit, se ka të bëjë me tatimpaguesit, ka të bëjë me zhvillimin ekonomik të vendit, po ka të bëjë edhe me buxhetin e shtetit. Ne jemi shumë të kujdesshëm në hapat që kemi marrë, dhe do të fillojmë nga departamentet që kanë shërbime të përbashkëta, si për tatimpaguesin ashtu edhe për institucionet, administratën tatimore. Dhe sektori i parë i cili do të pasojë tani, është sektori i riskut, dhe kjo është paraparë brenda sektorit të doganave, dhe qysh me stabilizimin e sistemit, tani kemi filluar online në dogana, hapi i parë është fillimi i bashkimit i sektorit të riskut, i cili do ti shërbejë edhe administratës doganore deh administratës të tatimeve, dhe do ta përcjelli tatimpaguesin që nga momenti që importon deri te shitësi i fundit”.
Komuniteti i biznesit e ka vlerësuar këtë nismë si një “dritare” e vetme, e cila do ti shkurtojë shumë procedura dhe do ti ulet koha e veprimeve më administratën fiskale.
Ndërkohë që për të krijuar një klimë më të favorshme për biznesit tashmë është krijuar një Ministri e re vetëm për mbrojtjen e sipërmarrjes.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.