Bashkitë, jo transparente – Kërkohet përfshirje më e lartë e qytetarëve

Bashkitë shqiptare janë ende larg përfshirjes së zërit qytetar në vendimet e tyre dhe larg transparencës që është e domosdoshme për të siguruar një demokraci vendore.
LëvizAlbania ka organizuar forumin kombëtar “Demokracia vendore, për një qeverisje transparente dhe përfaqësuese” ku është theksuar se pavarësisht mbështetjes që kjo organizatë ka dhënë për dhjetëra projekte që kontribuojnë në këtë drejtim, ende ka shume rruge që bashkitë të jenë më të hapura me qytetarët.
“Se si këto problematika bëhen pjesë e vendimmarrjeve lokale, apo e institucioneve qendrore dhe vendore, jemi akoma në nivele jo të kënaqshme. Pavarësisht se çfarë bëjmë dhe pavarësisht aksionit tonë të përbashkët, nuk mundemi të sigurojmë apo garantojmë rezultate, sepse jo çdo gjë është në dorën tonë dhe sigurisht ka shumë aktorë që duhet të bashkëveprojnë”, u shpreh Valbona Kuko, Drejtore Ekzekutive e LëvizAlbania.
“Demokracia fillon në nivel lokal, tek bashkitë. Këtë mund ta dëshmojnë qytetarët, kur zëri i tyre dëgjohet. Demokraci do të thotë që qytetarët janë kryesorët dhe u japin pushtet të përkohshëm përfaqësuesve që kanë zgjedhur dhe duhet të kërkojnë llogari tek ata. Besueshmëria tek bashkitë fillon me transparencën. Pyesni veten tuaj a keni akse në qeverisjen e bashkisë që ju përfaqëson? Bashkitë shqiptare kanë shumë punë për të bërë në këtë drejtim, për të qenë më transparente”, tha Christopher Graf, Ambasador i Zvicrës në Shqipëri.
“Do isha shumë kurioz të dija se sa shqiptarë mendojnë se zëri i vet ka vlerë si në raport me qeverinë, po ashtu edhe me pushtetin lokal. Nëqoftëse ne arrijmë qoftë edhe një minimum të kësaj nëpërmjet këtij projekti, nëpërmjet çështjeve konkrete me të cilat merret, nëqoftëse këto çështje arrijnë të zgjidhen ose të çojnë deri diku në një drejtim pozitiv ato që janë shqetësimet kryesore të publikut, atëherë besoj se kemi arritur diçka shumë më të rëndësishme se sa vetë mbijetesa apo puna e organizatave të shoqërisë civile, por kemi arritur të demostrojmë se ka një lidhje organike mes problemeve të shoqërisë shqiptare dhe rolit të organizatave të shoqërisë civile”, tha Andi Dobrushi, Drejtor ekzekutiv i OSFA.
Nga 61 bashki në vend, iniciativa e parë për rritje të transparencës me qytetarët është ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës përmes portalit opendata.tirana.al ku gjenden informacione të plota mbi punën e saj. Një element i rëndësishëm janë edhe konsultimet me qytetarët, të cilat në shumë bashki nuk funksionojnë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.