Bashkitë, të ardhura të ulta, Vlahutin: Decentralizmi fiskal, kyç për në BE

Bashkimi Europian ka lënë disa detyra për 61 bashkitë në vend, me qëllim që të jenë pjesëmarrës dhe ndihmues ne procesin e integrimit të vendit. Decentralizimi fiskal, mbledhja e të ardhurave, të cilat aktualisht vlerësohen si më të ulëtat në rajon dhe Europë, si dhe investimet, duke ofruar më shumë shërbime për qytetarët, kanë qenë kërkesat kryesore të ambasadores së BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin.
“Projektet e financuara nga BE synojnë të bëjnë një hartëzim të parë në Shqipëri të performancës që kanë bashkitë. Shqipëria është mbrapa me të ardhurat lokale, në nivel 2.5 për qind, shumë më të ulta se vendet e rajonit dhe të BE-së. Decentralizimi fiskal është kryesor. Bashkitë të përfitojnë nga bizneset në zonat e tyre dhe duhet të jenë në gjendje të mbledhin të ardhurat, ti investojnë në shërbime për qytetarët dhe të jenë ambiciozë që të dinë si të tërheqin investimet. Ky vështrim i parë hartëzimi do të jetë i rëndësishëm dhe do të shikojë progresin dhe rolin e Bashkive në Integrim. Është thelbësore që faza e ardhshme e përafrimit të Shqipërisë me standardet e BE të behet në bashkëpunim të plotë me njësitë vendore. Megjithatë kjo kërkon investim të mëtejshme që vendi të bëjë zgjedhje optimale politikash.”
Deklaratat e ambasadores u bënë në konferencën me pjesëmarrës të delegacionit të Bashkimit Evropian, pushtetit qendror dhe vendor.
Nga janari i këtij viti, përmes projektit të mbështetur nga BE “Bashkitë për në Evropë”, në secilën bashki të vendit janë ngritur sportele të BE-së me qëllim informimin në nivel vendor mbi politikat, fondet dhe programet e saj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.