Baza e NATO-s në Kuçovë, nisin shpronësimet – Qeveria akordon fond rreth 1 milionë euro për banorët, investimi në total 50 milionë euro
Ndërsa Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi paralajmëroi nisjen në janar të punimeve për ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, Qeveria ka përgatitur edhe listën e shpronësimeve për banorët e zonës. Sipas Vendimit të Qeverisë, Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të tij është 12 muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë” dhe “truall”, “ndërtesë” dhe “kultura bujqësore”, me vlerë 109 milionë lekë.
Vendimi I Qeverisë ngarkon Agjencinë Shtetërore Kadastrës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes për Komandën e Forcës Ajrore.
Projekti parashikon kthimin e Bazës Ajrore Kuçovë në Bazë Ajrore Taktike të NATO-s. Investimi total pritet të shkojë në rreth 50 milionë euro, duke I dhënë një nxitje positive edhe ekonomisë së zonës. Përtej pistës së fluturimeve aty pritet të ndërtohet edhe një radar supermodern tridimensional. Vetë NATO është shprehur se baza është pozicionuar në një vend shumë strategjik dhe ofron kushte atmosferike shumë të mira ku edhe mund të ulen shumë lehtësisht mjetet ajrore.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.